Poshtërimi më i fundit i Evropës
Nga Yanis Varoufakis
Një “leksion brutal mbi gjeopolitikën”, është mënyra se si e raportoi e përditshmja berlineze “Der Tagesspiegel” shpalljen e AUKUS, partneritetit të ri të sigurisë midis Australisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara.
Marrëveshja nuk është vetëm një goditje e rëndë financiare për Francën, kontrata e së cilës për t’i shitur 12 nëndetëse Australisë në vlerën 36 miliardë dollarë, u prish në mënyrë të heshtur pa shumë ceremoni.
Ndoshta ishte edhe më i rëndësishëm fakti që presidenti amerikan Xho Bajden zgjodhi që ta shpallte aleancën e re AUKUS në një mënyrë të tillë, që mund të interpretohet vetëm si një poshtërim i qëllimshëm i Francës, dhe për pasojë edhe i pjesës tjetër të Bashkimit Evropian.
Por ky nuk ishte leksioni i parë brutal që SHBA i ka dhënë kohët e fundit Bashkimit Evropian. Kur Donald Trump hodhi poshtë marrëveshjen që kishin arritur së bashku ish-presidenti Barak Obama dhe BE, për t’i dhënë fund programit bërthamor të Iranit, një nga arsyet ishte pse ajo vendoste Gjermaninë në vendin e SHBA-së.
Disa orë pasi kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se korporatat e BE-së, do të shpërfillnin sanksionet e Trump dhe do të vazhdonin të bënin tregti me Iranin, korporatat gjermane bënë njoftimin e tyre:Duke mos dashur që të dëboheshin nga tregu amerikan dhe të humbitnin përfitimet nga ulja e taksave të korporatave nga ana e Trump, ato u zotuan të ndërprisnin tregtinë me Iranin.
Ato dy incidente i shërbyen synimit të ruajtjes së hegjemonisë financiare dhe gjeostrategjike të Amerikës mbi Perëndimin. Por ndërkohë i zemëruan aq shumë liderët evropianë, sa që këta të fundit nisën të mendonin për hakmarrje.
Kërcënimi i Trump për vendosjen e sanksioneve kundër korporatave të BE-së që vazhdonin të bënin tregti me Iranin, ngjalli shumë debate në union sa i përket sanksioneve reciproke ndaj kompanive amerikane.
Javën e kaluar, presidenti francez Emanuel Makron reagoi ndaj njoftimit të Bajden për AUKUS me një veprim që dikur ishte si mjeti i fundit diplomatik pak para shpalljes së luftës:tërhoqi ambasadorët e Francës nga Uashingtoni dhe Kanbera.
Siç mund të parashikohet, sapo të zbehet zemërimi dhe të shuhen kërcënimet e tyre, udhëheqësit e Evropës do t’i rikthehen me maturi adresimit të shkaqeve rrënjësore të dobësisë së tyre përballë SHBA-së. Por kjo është një shaka që nuk duhet të gënjejë më askënd.
Pasi kompanitë evropiane u pajtuan me sanksionet e Trump ndaj Iranit, zyrtarët e BE-së arritën në përfundimin se për aq kohë sa SHBA-ja e kontrollon sistemin e pagesave, Evropa do të jetë në mëshirën e Amerikës në çdo lloj konfrontimi ku përfshihen edhe paratë.
Kështu, ata vendosën se Evropa ka nevojë për një sistem pagesash, të cilin qeveria amerikane nuk mundet ta bllokojë. Në mënyrë të ngjashme, pas AUKUS, ka lindur nevoja akute për një ushtri të përbashkët evropiane. Por në të dyja rastet, krijimi i institucioneve evropiane të nevojshme për të sfiduar hegjemoninë amerikane, do të kërkonte që udhëheqësit e Evropës të bënin një lëvizje që në fakt ata nuk pëlqejnë as ta mendojnë.
Për shembull, merrni parasysh ambicien për të krijuar një sistem pagesash të dominuar nga euro, qëi lejon kompanitë dhe shtetet të tregtojnë në mënyrë të pavarur nga sistemi financiar i dominuar nga SHBA-ja. Që të funksionojë një sistem i tillë, ai duhet të jetë likuid, pra duhet të jetë në gjendje të tërheqë paratë e njerëzve të tjerë – paratë japoneze, kineze, indiane dhe sigurisht ato amerikane.
Nga ana tjetër kjo kërkon që jo-evropianët të kenë një sasi asetesh të mëdha të dominuara nga euro, me të cilat të investojnë në rezervën e tyre për një ditë ose edhe 1 dekadë. Në botën financiare të dominuar nga dollarët, dhe të dominuar nga SHBA-ja, një pasuri e tillë jo vetëm që ekziston, por rritet çdo ditë në proporcion me huamarrjen e madhe të qeverisë amerikane.
Por në BE, nuk ka një institucion të ngjashëm me Thesarin e SHBA-së. Bonot gjermane mund të jenë po aq të sigurta sa shtëpitë, por ato nuk mjaftojnë për të mbështetur një konkurrent në sistemin e pagesave ndërkombëtare të dominuar nga dollari.
Zyrtarët e Evropës e dinë se krijimi i një ekuivalenti evropian të Thesarit Amerikan, Eurobondin aq shumë të diskutuar por të parealizuar, mbetet ende larg konkretizimit. Tek e fundit, krijimi i vëllimit të nevojshëm të eurobonove do të nënkuptonte një borxh të madh pan-Evropian.
Dhe kjo nga ana tjetër, kërkon një thesar të përbashkët, i cili mund të legjitimohet vetëm duke hedhur poshtë arkitekturën ndërqeveritare të BE-së, në favor të makthit më të madh të elitave evropiane:një federatë demokratike. Në fakt, gjatë 16 viteve të saj në pushtet, kancelarja në largim e Gjermanisë, nuk e bllokoi krijimin e eurobonove për shkak të nevojës apo antipatisë ndaj një aseti të sigurt evropian.
Ajo e bëri këtë pasi nuk kishte interes të përplasej me vendosmërinë e elitave evropiane për të ndaluar procesin e integrimit në BE, përpara se të marrë formë çdo gjë që i ngjan një federate demokratike. E njëjta gjë vlen edhe për integrimin ushtarak.
Edhe projekti modest i bashkimit të një force evropiane të vendosjes së shpejtë në terren prej 5 mijë trupash, nuk mund të jetë kurrë më shumë sesa vetëm një sinjal. E kush do t’i dërgojë këta burra e gra që të derdhin gjakun e tyre në ndonjë luftë të largët?
Presidenti francez? Kancelarja gjermane? Presidenti i Komisionit Evropian?Dhe kush do të ketë të drejtë, t’i thërrasë ata në veprim nëse është e nevojshme? Pa një parlament sovran për të mbështetur një qeveri federale që i merr këto vendime, nuk mund të krijohet asnjë ushtri evropiane e denjë për këtë emër.
Në fakt udhëheqësit evropianë po pësojnë sot atë që meritojnë. Kur ndonjë president amerikan i godet në fytyrë për t’i kujtuar se kush është shefi, ata nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të kthejnë faqen tjetër, për shkak se kanë vendosur t’i zgjedhin privilegjet e tyre aktuale në kurriz të pavarësisë evropiane.
Çdo shuplakë i zemëron mjaftueshëm për të lëshuar kërcënime dhe për t’i tërhequr ambasadorët e tyre. Por pastaj ata ngrihen mbi zemërimin e tyre dhe në kurriz të asaj që do të duhej për të çliruar Evropën nga hegjemonia amerikane.
Për të parandaluar poshtërimin që Trump i bëri dikur Merkelit, Evropës i duhen eurobonot. Për të parandaluar poshtërimet si ai që Bajden i ka shkaktuar së fundmi Makron, BE ka nevojë për një ushtri të përbashkët. Por, eurobonot dhe një ushtri e zakonshme kërkojnë që klasat sunduese kombëtare të Evropës (sidomos ato në vendet kreditore), të heqin dorë nga fuqia e tyre e tepruar; dhe të përqafojnë në vend të saj, idenë radikale të votimit transnacional për një qeveri federale transnacionale.
Dilema e tyre është e qartë:Ta kthejnë BE-në në një federatë demokratike, duke e humbur fuqinë e tepruar që kanë ndaj qytetarëve në unionin e sotëm jo-demokratik, apo t’i nënshtrohen fshikullimeve të vazhdueshme nga kushdo që vjen në Shtëpinë e Bardhë. Pas bujës dhe protestave të tyre periodike, udhëheqësit e Evropës duket se e kanë bërë zgjedhjen e tyre. Pas zhurmës dhe tërbimit nga inati në mënyrë të vazhdueshme, udhëheqësit e Evropës duket se e kanë bërë zgjedhjen e tyre.
Shënim: Yanis Varoufakis, ish-Ministër i Financave i Greqisë, aktualisht udhëheqës i partisë MeRA25, dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës. / Project Syndicate, Bota.al
Fraksion.com