AktualitetPolitikëTë fundit

Ndihma për Rindërtimin, Rama: Arsye e prekshme për të mos e humbur durimin me BE-në

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen si një avokate të palëkundur dhe pa kushte të procesit të integrimit të Shqipërisë, ndërsa vlerësoi ndihmën e KE-së ndaj Shqipërisë, veçanërisht në programin e rindërtimit.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Kryeministri Rama tha se “vizita e Presidentes së KE-së në Shqipëri vjen në një moment të rëndësishëm për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e BE-së”.

Duke u ndalur te procesi i rindërtimit në Shqipëri, Kryeministri nënvizoi transformimin rrënjësor të kushteve për të mësuar dhe jetuar të gjithë atyre familjeve që u goditën egërsisht nga tërmeti.

“Besoj që sot e shohim me sytë e tyre se rindërtimi po sjell një cilësi të re në jetën e tyre dhe në jetën e fëmijëve të tyre, një proces që vazhdon dhe ku hap pas hapi po mbyllen të gjitha plagët e asaj tragjedie të paharrueshme”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi faktin se kjo nuk është vetëm vizita protokollare e një prej autoriteteve më të larta të Europës dhe e Presidentes së institucionit më të rëndësishëm europian, KE-së, por edhe vizita e një gruaje e cila është e angazhuar personalisht me gjithë zemër dhe me të gjitha energjitë e saj për ta vënë të gjithë kapacitetin e detyrës që mbulon, por edhe KE-në, në mbështetje të atyre familjeve që u goditën nga tërmeti dhe në mbështetje të vetë Shqipërisë.

Rama shprehu mirënjohjen për gjithçka Von der Leyen ka bërë që në momentin e parë të marrjes së lajmit për rënien e tërmetit.

“Është vënë menjëherë në lëvizje dhe nuk ka reshtur deri kur u kurorëzua përpjekja e saj personale bashkë me të tjerë udhëheqës në Europë, për t’ia dalë me sukses një Konference Donatorësh që mbetet historike për vetë BE-në, për nga shpejtësia dhe volumi i angazhimeve të mbledhura aty”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se angazhimi i Presidentes nuk ka ndalur aty, por ka vazhduar me angazhimin e Presidentes për ta parë të disbursuar me një shpejtësi jo të zakonshme për BE-në.

Presidentja Von der Leyen u angazhua që fondet të vinin sa më parë në dipozicion të skuadrave që pastaj u angazhuan për të bërë projekte, dëgjesa publike etj.

Rama tha se kjo është dëshmi i solidaritetit të BE-së dhe kjo është një arsye e dukshme, e prekshme dhe konkrete për të mos e humbur durimin me BE-në që është vërtetë i lodhshëm në një aspekt që e dimë shumë mirë, por është njëkohësisht një forcë e madhe pozitive në shërbim të njerëzve e shoqërive.

Rama tha se ka folur me Presidenten edhe për situatën absurde ku ndodhet Shqipëria në këtë moment si rezultat i bllokimit që Bullgaria i ka bërë Maqedonisë së Veriut, një pengmarrje e procesit.

“Ndërkohë që ne i kemi kryer të gjitha detyrat dhe presim të ulemi të tryezë me BE, për të filluar negociatat në Konferencën e parë Ndërqeveritare. Faleminderit presidentes Von der Leyen, që është një avokate e palëkundur dhe pa kushte e procesit. Ajo është prej kohësh, dhe para pozicionit që mban, një ndër ata që janë të bindur për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor, natyrën strategjike të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe është papushim në përpjekje për ta nxitur procesin. KE ka disa vite që jep rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave. Komisioni është i rreptë dhe i parashikueshëm pasi bazohet në fakte, prova, raportime që lidhen me përmbushjen e objektivave, por kur gjërat shkojnë në Këshillin e Europës, aty fillon politika, dinamikat e brendshme dhe duhet konsenues, pasi po nuk ra njëri shtet dakord mjafton për të bllokuar procesin si në rastin e Bullgarisë që ka marrë peng procesin”, tha Rama, ndërsa falënderoi Presdenten për përpjekjen që po bën për ta zhbllokuar këtë situatë.

Po ashtu, Rama informoi se “kemi folur edhe për ecurinë e procesit të bashkëpunimit rajonal”.

“Von der Leyen është një prej bashkëpunëtoreve më të ngushta të Merkel që nisi Procesin e Berlinit dhe për këtë arsye e njeh procesin, e mbështet dhe e sheh ashtu si është, në shërbim të përafrimit të Ballkanit Perëndimor me BE, por edhe rritjes së vetë kapaciteteve brenda Ballkanit Perëndimor”, tha Rama.

Po ashtu, Rama tha se në vigjilje të samitit të Ballkanit Perëndimor, pas pak ditësh në Slloveni, ne kemi diskutuar për të gjitha problematikat e këtij procesi. “Presidentja me shumë të drejtë nënvizoi rëndësinë e krijimit të besimit reciprok mes palëve (Kosovë-Serbi). Pa besimin reciprok mes palëve është shumë e vështirë të arrihet në përfundimin e dëshiruar”, tha Rama.

 

Fraksion.com