Pse Rusia nuk do të pushojë së urryeri (dhe admiruari) Amerikën
Nga Luca Gori
Në përpjekjen e saj post-sovjetike për të krijuar një identitet të ri kombëtar, Rusia e ka parë gjithmonë SHBA-në si “tjetrin”. Si partneri apo armikun, si entiteti me të cilin duhet konkurruar, bashkëpunuar apo për t`u përballur për të matur rrugëtimin e saj drejt modernizimit dhe mbi të gjitha për të njohur statusin e një fuqie të madhe.
Nga pikëpamja e ndërtimit të identitetit të saj post-sovjetik, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është për Moskën më e rëndësishme sesa ajo me Evropën, e cila mbetet vendimtare në nivelet kulturore, ekonomiko-tregtare, energjetike dhe të sigurisë.
Duke vëzhguar reflektimin e imazhit të vet në “pasqyrën” amerikane, Rusia ka zbuluar shpesh një ndjenjë dashuri-urrejtje ndaj Shteteve të Bashkuara, e cila fsheh në fakt një kompleks të dyfishtë superioriteti dhe inferioriteti.
Dëshira për t’u hapur drejt Perëndimit, ka ekzistuar në të njëjtën kohë me nevojën për t’u tërhequr në atë që Iosif Brodski e quajti “ksenofobia e lindur” e rusëve. Sipas sociologut Aleksei Levinson, ky refleks kontradiktor do të kishte gjithashtu edhe një nuancë moraliste:Amerika është “Tjetri”për ne në kuptimin metaforik. Rivaliteti me Amerikën nuk shpaloset në botën reale, por në reflektimin që ekziston për të në vetëdijen kolektive ruse. Dhe në këtë sferë, ajo që ka rëndësi, nuk është të mposhtësh “Tjetrin”, por të jesh plotësisht i sigurt se nuk je më i keq se ai.
Prandaj Rusia nuk ka nevojë që të “mposhtë” Shtetet e Bashkuara, por të ndihet më mirë, ose të ndjehet ndryshe nga kjo e fundit. “Ata mendojnë se ne jemi të barabartë me ta – paralajmëroi Putini – por në fakt ne jemi ndryshe. Ne kemi një kod të ndryshëm gjenetik, kulturor dhe moral”.
Në marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit, të karakterizuara nga logjika e Luftës së Ftohtë, dhe kësisoj nga nevoja për t’u ndjerë superiorë ndaj tjetrit, ka ndodhur shumë rrallë të mos dominojnë nacionalizmat e tyre përkatëse, të shoqëruara përkatësisht me anti-amerikanizëm dhe rusofobi.
Kjo ndodhi gjatë dy luftërave botërore, dhe gjatë reagimit ndaj sulmeve të11 Shtatorit. Kjo u vu re- edhe pse në prapavijë -kur Moska u përpoq të niste rrugën e reformimit, duke e shtrirë shikimin drejt Perëndimit:me Hrushovin, Gorbaçovin, Jelcinin dhe pjesërisht Medvedevin.
Gjatë rrjedhës së Viteve Zero, me unipolaritetin e Uashingtonit dhe “kthesën konservatore” të Kremlinit, narrativa e një Amerike si “tjetri” armiqësor, nisi të dominonte sërish në Rusi. Kështu, nisi të flitej për “Luftën e Ftohtë 2.0”, një konflikt “hibrid”, “i parregullt” apo “asimetrik”.
Një përplasje e bazuar mbi të gjitha në propagandën e medias, tek gara për teknologji të reja, ideologjia, instrumentet ekonomike dhe financiare, apo edhe sanksionet. Konservatorët rusë e kanë ngritur tonin e retorikës anti-amerikane, duke i portretizuar gjithnjë e më shumë Shtetet e Bashkuara si një fuqi unilateraliste, e cila përballet me dinamikën ruse ekskluzivisht me kategoritë e veta konceptuale, kryesisht sipas nevojave të brendshme politike, apo përmes paragjykimit të një ndryshimi akoma demokratik që duhet të ndodhë.
Në rolin e saj si antagoniste, Amerika vazhdoi t’i shërbente Moskës si termi kryesor i krahasimit në shkallë ndërkombëtare. Prandaj, perceptimi i Uashingtonit për Rusinë konservatore të Putinit, mbetet një faktor përcaktues në propagandën e vazhdueshme të Kremlinit për vetëdijen kombëtare ruse.
Sigurisht, Moska e di mirë se marrëdhënia me një Uashington që po fokusohet gjithnjë e më shumë tek konfrontimi i tij strategjik me Pekinin, nuk është më strumbullari rreth të cilit sillet ekuilibri global. Po ashtu ajo e di që edhe marrëdhënia dypalëshe me SHBA-në do të mbetet në një trajektore konfliktuale për një kohë të gjatë.
Kufizimet e brendshme dhe ndërkombëtare kanë penguar normalizimin e tyre që nga Bushi i vjetër, i biri dhe Obama, dhe janë të tilla edhe sot. As kimia e mirë personale midis Trump dhe Putin – e nxitur nga një ndjeshmëri e përbashkët nacionaliste, dhe një vizion i përbashkët i ushtrimit të pushtetit – nuk zbehu dot mosbesimin e ndërsjelltë ndaj Deep State-ve të tyre.
Gjithsesi, Rusia është po aq e vetëdijshme se ka disa avantazhe krahasuese ku mund të mbështetet në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara. Ajo është një fuqi bërthamore dhe një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit; partnere në luftën kundër terrorizmit dhe përhapjes së armëve bërthamore; mbetet një lojtare kyçe në fushën e sigurisë ndërkombëtare.
Ndërkohë ka një sistem politik që mundëson një vendimmarrje më të shpejtë sesa demokracitë perëndimore; ka një prirje më të madhe për të ndërmarrë rreziqe, përfshirë ato ushtarake, kur janë në rrezik interesat e saj jetike. Pra, Rusia ka ende një ndikim të fortë në axhendën ndërkombëtare.
Duke e parë zhdukjen e mundësisë së fitimit të një statusi të fuqisë së madhe përmes ndërtimit të një partneriteti “midis të barabartëve” me Shtëpinë e Bardhë, Moska ka nisur të jetë e kënaqur me veten, duke qenë një prishës potencial i interesave kombëtare amerikane.
Sfidimi i Shteteve të Bashkuara dhe tendenca e saj unilateraliste duke dhënë shfaqje të ndryshme ndërkombëtare – nga Siria në Iran, nga Ukraina në Libi – është bërë kësisoj taktika më e thjeshtë që përdoret për të projektuar autonominë dhe sovranitetin rus.
Një mënyrë e ndryshme për të tërhequr vëmendjen dhe fituar respektin e “tjetrit”. Të ndihesh si protagonist. Një qasje që të sjell ndërmend fjalët e Albert Kamysë në novelën “I huaji”: “Edhe në bankën e të akuzuarit, është gjithmonë interesante të dëgjosh të flitet për veten!”.
Pra marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara, me “tjetrin”, mbetet një provë vendimtare për identifikimin e kulturës politike të Rusisë konservatore.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara në fakt mishërojnë dy destinacione të kundërta, duke pasqyruar dy vetë-përfaqësime të ndryshme kombëtare dhe dy botëkuptime të ndryshme. Për të kuptuar plotësisht objektivat e “kthesës konservatore” të Vladimir Putinit, ne duhet të krahasojmë mesianizmin e ndryshëm të mishëruar nga Moska dhe Uashingtoni.
Nga njëra anë, ai i përmbledhur nga historiani Riçard Hofshtadter mbi Amerikën: “Ishte fati ynë si komb të mos kishim një ideologji, por të ishim vetë një ideologji”. Nga ana tjetër, ai i shprehur nga filozofi Vladimir Soloviev mbi Rusinë:“Ideja e një kombi nuk është ajo që mendon për veten në kohë të caktuara, por ajo që Zoti mendon për të në përjetësi”.
Është pikërisht papajtueshmëria midis dy misioneve të ndryshme historike,që gjendet në rrënjën kulturore të keqkuptimit gjeopolitik midis Uashingtonit dhe Moskës, dhe që dikton ende sot 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Një keqkuptim që ka marrë formën e një kontrasti të ri ideologjik midis liberalizmit global të inkurajuar nga Shtetet e Bashkuara, sidomos me ardhjen e administratës Bajden, dhe konservatorizmit pragmatik të Rusisë së Putinit. Pra një kontrast midis revolucionit dhe anti-revolucionit. Midis kapërcimit të regjimit antik dhe mbrojtjes së statuskuosë.
Shënim: Pjesë nga libri “Rusia e Përjetshme. Origjina dhe ndërtimi i ideologjisë post-sovjetike“ i Luca Gori./Me shkurtime nga Linkiesta, Bota.al
Fraksion.com