AktualitetKosovaRajoniTë fundit

“Çfarë po bën ambasadori rus në Beograd duke patrulluar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë?”

Për 8 ditë me radhë, situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar, teksa dy pikat kufitare Jarinja dhe Bërnjaku vijojnë të jenë të bllokuara nga protestuesit serbë. Ndërkohë që në vendkalimet kufitare është janë e vendosur edhe trupa ushtarake serbe, të gatshme për të ndërhyrë nëse do të ketë përkeqësim të situatës.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se Serbia është pro paqes, por nuk do të lejojë dhunë kundër banorëve serbë. Ai ka thënë se e ka njoftuar sekretarin gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, që nëse rrezikohen serbët, do të presin 24 orë për ndërhyrje të NATO-s.

Ndërkohë një ditë më parë ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviç ishte në Jarinjë, i shoqëruar edhe nga ambasaodri rus në Beograd, Aleksandar Bocan Kharchenko dhe shefit të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë së Serbisë Milan Mojsilovic, ku vizituan njësitë serbe në Rashkë, në afërsi të kufirin në Jarinjë.

Ministri i serb tha se tërheqja e njësive speciale të policisë është një kusht për qetësimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe për fillimin e dialogut. Ministri i Mbrojtjes, Stefanovic gjatë vizitës në njësitë ushtarake, tha se ata ishin “shumë të motivuara dhe të gatshme për të mbrojtur njerëzit e tyre”.

Nga ana tjetër ambasadori Botsan-Kharchenko shprehu mbështetjen e Rusisë për pozicionin e Beogradit, i cili, siç vlerësoi ai, ka për qëllim zvogëlimin e tensioneve në Kosovë. “Kjo situatë po ngre një shqetësim të madh në Moskë,” tha ambasadori rus.

Për këtë ka reaguar edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e cila denoncoi prezencën e ambasadorit të Rusisë në Beograd, në afërsi të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, duke pyetur se çfarë po bën ai atje. Çitaku ka pyetur në Twitter se pse ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan Kharchenko bashkë me ministrin serb të Mbrojtjes shkuan atje.

“Çfarë po bën ambasadori rus në Beograd duke patrulluar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Pse është atje me ministrin serb të Mbrojtjes?”, ka shkruar ajo.

Qeveria e Kosovës 8 ditë më parë nisi zbatimin e reciprocitetit për targa duke vënë targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës. Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

 

Fraksion.com