AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: PD do propozojë uljen e TVSH-së mbi shportën ushqimore në 6 %

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha sot se PD do të depozitojë sa më shpejt propozimin për uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar të mallrave të shportës ushqimore nga 20 % në 6 %.

Basha në komunikimin me mediet pas mbledhjes së grupit parlamentar, u ndal fillimisht në gjendjen, sipas tij, me të cilën ballafaqohen gjithë shqiptarët sot.

“97 % e shqiptarëve do të thotë të gjithë shqiptarët. Dhe vetëm sot, INSTAT-i ka publikuar të dhëna që vijnë nga një organ tashmë nën thundrën qeveritare që tregojnë realitetin, që çdo shqiptar, çdo prind e prek tavolinën e bukës, e prek në gjendjen në të cilën i ka çuar fëmijët sot në ditën e parë. Dhe kjo është varfëri ekstreme, e cila po shërbehet nga rritja galoponte e çmimeve që keni vënë re. Nisi me çmimin e bukës, por është shtrirë me çmimet e tjera të shportës ushqimore, të ushqimeve në tërësi, të gazit, të naftës, të energjisë, të ujit e kështu me radhë. Ndaj, ne nuk mund të rrimë përpara kësaj situate të thjesht në rrafshin e denoncimit, pavarësisht se fajtori dihet. Janë politikat zhvatëse të kësaj qeverisjeje dhe mentaliteti i një grupi që mendon vetëm për xhepat e vet dhe të klientëve dhe të ortakëve të vet, që në çdo aspekt, paratë i çon nga qytetarët tek këto xhepa. Dhe pikërisht për të goditur këtë sjellje, por mbi të gjitha për të sjellë një lehtësim për qytetarët shqiptarë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë në kohën më të shkurtër të mundshme propozimin për të vendosur uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar, mbi mallrat e shportës ushqimore nga 20, në 6%”, u shpreh Basha.

“Dhe nuk e kam fjalën thjesht për shportën ushqimore në kuptimin e ngushtë të fjalës, por për të gjithë ato mallra të cilat afektojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Ky nuk është thjesht një propozim politik, ky është një hap i domosdoshëm për të ndihmuar njerëzit të cilët sot janë në nevojë ekstreme”, vijoi ai.

Basha theksoi se “shqiptarët duhet ta kuptojnë se forcën që na kanë dhënë me 25 prill, pavarësisht prej masakrës zgjedhore ne do t’i kërkojmë uljen e TVSH duke provuar qartë se ky shtet pavarësisht se i rrënuar, i grabitur, i zhvatur prapëseprapë e ka mundësinë qe duke ia u hequr paratë, favoret, një grushti njerëzish për të cilët punon kjo qeveri t’i shërbejë këtyre 97% të shqiptarëve pikërisht pra duke ulur TVSH si një hap të parë dhe të menjëhershëm për këtë krizë te thellë ekonomike dhe për thellimin e kësaj krize përmes rritjes së çmimeve te ushqimeve bazë dhe shërbimeve bazë”.

E dyta, vijoi Basha, ka të bëjë me me faktin pse PD ndodhet në këtë parlament?

“Ne jemi në këtë parlament ne funksion të kthimit të legjitimitetit dhe të demokracisë në vend i cili është asgjësuar nga masakra zgjedhore e 25 prillit. Ndaj tre komisionet hetimore do të targetojnë i pari masakrën zgjedhore në të gjithë komponentët e saj por me theks tek ato që tashme janë dhe në raportin e OSBE-ODIHR të konfirmuara si krimi zgjedhore , që nga sistemi kriminal i patronazhistëve që vodhi dhe përdori të dhënat personale dhe private të qytetarëve për t’i shantazhuar ata, tek keqpërdorimi i burimeve shtetërore, tek keqpërdorimi dhe abuzimi me fondet e tërmetit, me legalizimet, me punësimet, e kështu me radhë. Komisioni tjetër do të merret me një çështje që e ka marrë vesh gjithë bota tashmë, që është çështja Beketi, ku për shkak të luftës personale politike të Edi Ramës shqiptarëve iu duhet te paguajnë tani 120 milionë euro që po jua them janë baras me dy herë ato paketa gjysmake që qeveria dha gjoja për ndihmë ekonomike gjatë pandemisë. Tani do t’i marrë një njeri për shkak të luftës personale me Edi Ramën. Kjo do të hetohet, përgjegjësit do dalin hapur para shqiptarëve dhe ne do të ndjekim pastaj, të gjithë hapat e tjerë të mundshëm për t’i vënë ata përpara drejtësisë”, theksoi ai.

“E treta, ka të bëjë po kështu me një çështje të mirënjohur për opinionin publik, e cila me siguri nuk do të zërë vend kryesor në kronikat e lajmeve sonte po shpresoj të jemi live tani, që është çështja e inceneratorëve. Mafia e inceneratorëve, bashkëpunimi i tyre me zyrtarët më të lartë të shtetit, përbën një korrupsion në kurriz të qytetarëve shqiptarë, përbën po kështu një masakër shëndetësore mbi shqiptarët. Kush i ka harruar pamjet e qyteteve tona që digjeshin gjatë verës, vetëm e vetëm për të justifikuar që ato pak para që i kanë mbetur të taksave të shqiptarëve, t’i çonin te mafia e inceneratorëve. Pra, këto janë fillimi i një ofensive parlamentare , të pjesës parlamentare të ofensivës, e cila do të kompletohet me të gjithë komponentët e saj”, tha Basha.

 

Fraksion.com