Rama për TV5MONDE: Shqipëria po bën një luftë të hapur kundër korrupsionit
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në një intervistë nga Nju Jorku për televizionin francez TV5MONDE, se Shqipëria po bën një luftë të hapur kundër korrupsionit dhe për shtetin e të drejtës dhe se “pandëshkueshmëria në Shqipëri nuk është më një normë”.
Pas paraqitjes së një kronike nga TV5MONDE mbi zhvillimet në Shqipëri, Rama sqaroi se “ne nuk jemi ndër vendet më të varfra, jemi ndërmjet vendeve më pak të pasura, dhe këtu ka një ndryshim, sepse kur ju flisni për një varfëri, kjo u jep teleshikuesve tuaj idenë e një vendi të varfër në ndonjë kontinent të largët, ndërsa ne jemi ndër më pak të pasurit, por po ecim përpara”.
Së dyti, Kryeministri sqaroi se “nuk patëm një fushatë zgjedhore të dhunshme, dhe nuk patëm një fushatë zgjedhore plot me fyerje”.
“Patëm një fushatë me një pjesëmarrje shumë të madhe, rreth 80 % e banorëve rezidentë në Shqipëri. Kjo besoj se kjo flet vetë për pjesëmarrjen dhe për gjallërinë e demokracisë sonë”, tha ai.
Po ashtu Rama tha se “jemi një vend europian në mes të Europës, kemi probleme, përpiqemi t’i zgjidhim, bëjmë reforma, rruga është e gjatë sigurisht, por jemi në drejtimin e duhur, pa dyshim, përndryshe Këshilli Evropian nuk do ta kishte marrë unanimisht vendimin për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë”, tha ai.
I pyetur mbi luftën kundër korrupsionit, që është një kusht për anëtarësimin në BE, Rama tha se “fakti që pandëshkueshmëria në Shqipëri nuk është më një normë, dhe fakti që ka njerëz nga pushtete të forta që kanë dalë para gjykatave dhe janë dënuar, flet vetë”.
“Po bëjmë një luftë të hapur kundër korrupsionit, po bëjmë një luftë të hapur për shtetin e të drejtës dhe dua të shtoj edhe luftën kundër trafikut të drogës; së pari nuk jemi një përjashtim në Europë, së dyti po të flasim për sasi, jemi ndër vendet me sasinë më pak të konsiderueshme dhe së treti kemi bërë përparime shumë të rëndësishme edhe në këtë drejtim”, tha ai.
Pyetjes nëse është frustruese pritja në negociatat me Brukselin, Rama iu përgjigj se “të themi të vërtetën, nuk është frustruese, sepse e kuptojmë që vetë Europa është e frustruar nga problemet e saj të brendshme”.
“Prej krizës së refugjatëve të 2015, po ndodhin shumë gjëra në nivelin evropian, të cilat bëjnë që Bashkimi Europian të mos arrijë të funksionojë në të gjitha frontet dhe as të menaxhojë nacionalizmat që po lulëzojnë në shumë vende. Edhe pse ekstremi i djathtë për fat të mirë nuk është në pushtet në asnjë vend europian, qasjet e ekstremit të djathtë ndikojnë sidoqoftë mbi qëndrimet e qeverive të moderuara, e të vetë Bashkimit Europian. Në këtë pikë, jemi të qartë, ne duhet të bëjmë gjithçka duhet për t’u bërë një vend europian, për t’u bërë një vend i BE, për t’u bërë një vend i shtetit të së drejtës, sepse e bëjmë këtë për fëmijët tanë. Nuk e bëjmë sepse është dikush në Bruksel, në Paris, apo në Berlin që na e kërkon dhe kjo është rruga e vetme, nuk ka alternativë tjetër. Ne jemi vërtet krenarë që të vazhdojmë në këtë udhë, ka pengesa por s’ke ç’i bën, ne vazhdojmë”, tha ai.
Pyetjes nëse po forcohet interesi për Turqinë, në dëm të Bashkimit Europian, Rama iu përgjigj se: “Jo. Kjo është bla-bla-bla, në përgjithësi, sepse Turqia është një vend mik i Shqipërisë prej një kohe shumë të gjatë. Me Turqinë, Greqinë dhe Italinë ne kemi një partneritet strategjik dhe miqësia me Turqinë dhe marrëdhëniet me Turqinë nuk janë një alternativë ndaj Bashkimit Evropian. Aspak”.
Kryeministri foli po ashtu edhe për vendimin e Shqipërisë për strehimin e shtetasve nga Afganistani.
Rama tha se “ne s’ua hapëm derën me kërkesë të SHBA, të qeverisë së SHBA”. “E hapëm derën sapo na kontaktuan disa organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut në SHBA, dhe thamë “PO”. Sepse për ne, kjo është çështje respekti ndaj historisë, ne jemi një vend mikpritës, një vend që, me krenari ka qenë vendi i vetëm në Evropë që pati më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj, dhe ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve, jemi një vend që ka pritur gjysmë milion refugjatë lufte që u ikën masakrave të regjimit të Sllobodan Milosheviçit në 1999 dhe jemi një vend ku është shumë e rëndësishme që të mos harrohet, se ka një kohë për të kërkuar, ka një kohë për të dhënë. Ne kemi qenë afganët para 30 vjetëve, dhe po të mos kishte qenë mikpritja e italianëve dhe e të tjerëve nuk do të kishim mundur të dilnim nga ferri ynë, që nuk ishte një ferr i talibanëve islamistë, por ishte një ferr i talibanëve të kuq. Për të gjitha këto, për ne kjo është thjesht e natyrshme”, tha ai.
Lidhur me largimin e shqiptarëve nga vendi, Rama tha se “së pari, në të gjitha vendet e Lindjes, qofshin vende anëtare të BE, qofshin vende kandidate të BE, ka pasur një lëvizje masive të njerëzve drejt Perëndimit, dhe, nëse për ata që janë anëtarë, bëhet fjalë për lëvizje brenda një perimetri tregu të lirë të punës, për shqiptarët dhe të tjerët bëhet fjalë për një lëvizje që nuk është vërtet e lirë”.
“Është një lëvizje e lidhur sigurisht me çështje ekonomike, por është e lidhur gjithashtu me rrjete të emigracionit të paligjshëm. Thënë kjo këtu nuk ka aspak kontradiktë, sepse ne jemi një vend mikpritës, i kemi pritur gjithmonë njerëzit në nevojë dhe do ta bëjmë gjithmonë”, tha ai.
Në përfundim, Kryeministri siguroi se “ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të modernizuar vendin, do të vazhdojmë përpjekjet për ta transformuar Shqipërinë në një shtet të së drejtës në standardet e Bashkimit Europian, me një reformë të drejtësisë që shkon përpara, me reforma të tjera që shkojnë përpara, jemi një vend që sot ka qeverinë me pjesëmarrjen me të madhe të grave në qeveri ndërmjet vendeve të Kombeve të Bashkuara, jemi një vend që sigurisht duhet të luftojmë me shumë gjëra që vijnë nga e shkuara e që janë ende aty, por ku sigurisht ka shpresë, sigurisht ka të ardhme”.
Fraksion.com