Rama mbyll fjalën në OKB me thënien e Nënë Terezës, duartrokitet nga të gjithë: Të bëjmë gjëra të vogla, por me dashuri të madhe!
Kryeministri Edi Rama ka mbyllur fjalën e tij në asamblenë e OKB me një shprehje të Nënë Terezës pasi përmendi mirëpritjen e qytetarëve afganë në Shqipëri.
Edhe kur nuk bën dot gjëra të mëdha, bëj gjëra të vogla çdo ditë por me dashuri të madhe”, ishte shprehja e Nënë Terezës që përmendi kryeministri duke shtuar se qeveria shqiptare nuk mund të qëndronte duarkryq pasi forcat talebane morën kontrollin e Afganistanit.
Edhe pse me kapacitete të kufizuara, Rama thotë se Shqipëria i hapi dyert afganëve ashtu siç ka bërë edhe në momente të tjera kritike të historisë.
“Para se të mbyll, më lini të them diçka për Afganistanin. Është detyra jonë të bëjmë gjithçka është e mundur për të mos braktisur popullin afgan që e gjen veten dhe njëherë në udhëkryq për të ruajtur arritjet e pamohueshme të dy dekadave të shkuara, për të parandaluar e për t’i rezistuar çdo kthimi në errësirë që bota ka parë më parë.
Ndërkohë që ngjarje dramatike zhvilloheshin para syve tanë, nuk mund të qëndronim duarkryq. Pavarësisht kapaciteteve të kufizuara për të pritur emigrantë, por me një humanizëm të pakushtëzuar, u hapëm dyert afganëve, bëmë atë çfarë kemi bërë momente të tjera kritike të historisë sonë kur shpëtuam mijëra hebrenj gjatë Holokaustit dhe Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas luftës se para saj. Apo kur mirëpritëm gjysmë milion prej vëllezërve e motrave tona kosovare që i shpëtonin ferrit të spastrimit etnik në 1999.
I mirëpritëm afganët se kemi detyrën morale për të qenë solidarë për ata që janë në rrezik, i detyrohemi historisë sonë si refugjatë deri 30 vjet më parë e po kështu ua detyrojmë fëmijëve tanë që besojmë se duhet të mësojnë jo vetëm përmes fjalëve, por edhe përmes veprave se në këtë jetë ka një kohë kur merr e një kohë kur jep. Ashtu siç shenjtorja Nënë Tereza ka thënë njëherë “Edhe kur nuk bën dot gjëra të mëdha, bëj gjëra të vogla cdo ditë por me dashuri të madhe.” Përulësisht ne po bëjmë pjesën tonë.”, tha Rama
Fraksion.com