Mallkimi i tij tmerroi Evropën: Kush ishte Zhak dë Molej, Mjeshtri i fundit i Madh i Kalorësve Tempullarë
Më 18 mars 1314, pas shumë torturave dhe poshtërime të tjera, Zhak Dë Molej dhe disa tempullarë të tjerë, u ekzekutuan me vdekje. Dë Molej ishte një plak i lodhur nga jeta, por shumë krenar për arritjet e tij. Ai e dinte se tragjedia që preku atë dhe vëllezërit e tij, ishte pasojë e një komploti.
Po ashtu ai ishte i vetëdijshëm se mbreti i Francës kishte vendosur të torturonte dhe ekzekutonte njerëz të pafajshëm, kalorësit më besnikë të Francës. Prandaj kur po jepte shpirt ai mallkoi cilindo që rekomandoi vrasjen e tij.
Urdhri i Kalorësve Tempullarë, i njohur edhe si Urdhri i Tempullit të Solomonit, ekzistonte prej gati 2 shekujsh gjatë Mesjetës. Historia e tyre filloi rreth vitit 1129, kur ata u bënë një grupim bamirës shumë i njohur në të gjithë të ashtuquajturin Krishterim.
Urdhri u zgjerua shumë shpejt, pasi shumë njerëz donin që t’i bashkoheshin grupit të kalorësve me mantelët e veçantë në ngjyrë të bardhë të zbukuruar me kryqin e kuq. Ata ishin luftëtarë shumë të aftë gjatë Kryqëzatave, dhe praktikuan skema financiare novatore, të cilat u bënë një formë e hershme e bankave moderne. Ndërkohë, tempullarët ishin gjithashtu ndërtues të mëdhenj të fortifikimeve në Evropë dhe Tokën e Shenjtë.
Mjeshtri i fundit i Madh i Urdhrit Tempullar
Zhak Dë Molej lindi në vitin 1243. Ai ishte i 23-ti dhe i fundit Mjeshtër i Madh i Urdhrit të Kalorësve Tempullarë. Ai e sundoi atë nga 20 prilli i vitit 1292, dhe ishte reformatori i tij më i madh. Për të qarkullojnë shumë histori, por ka pak informacione të sigurta mbi origjinën dhe jetën e tij.
Një nga legjendat thotë se gjatë udhëtimit të tij nëpër “Camino de Santiago” në fund të shekullit XIII-të ai e la shpatën në kështjellën Ponteferrada në Spanjë. Siç e përmendëm më lart, Tempullarët luftuan në Kryqëzatat, gjë që u garantoi atyre shumë para.
Dë Molej qëndroi shumë kohë në Lindjen e Mesme, dhe në fund u bë drejtues i urdhrit.
Në atë kohë Tempullarët ishin shumë të famshëm për pasjen e një thesari shumë të madh. Mbretërorët dhe fisnikët e Evropës besonin se ata ishin shumë të pasur.
Madje disa spekuluan se gjatë vizitës në Lindjen e Mesme, Tempullarët kishin ri-zbuluar thesarin e mbretit izraelit Solomon dhe e kishin marrë për vete. Duke i besuar këto zëra, mbreti i Francës Filipi IV, vendosi të marrë para hua nga Urdhri i Kalorësve, duke besuar se mund ta bënte këtë gjë pa asnjë kufizim.
Tempullarët ishin shumë të aftë në menaxhimin e parave. Por kur ia huazonin dikujt, ata prisnin që të merrnin një rimbursim më vonë. Ky ishte fillimi i fundit për ta. Filipi IV i Francës nuk donte që ta shlyente borxhin e tij të madh ndaj këtij Urdhri.
Dhe në vend se t’i kthente paratë Tempullarëve, ai vendosi që të përfitonte nga situata. Ai kërkoi mbështetjen e Papa Klementit V, dhe në vitin 1307, shumë anëtarë të Urdhrit u arrestuan në Francë. Për ta nisi makthi i torturave, për të siguruan rrëfime të rreme, sipas të cilave Tempullarët bashkëpunonin me Djallin. Edhe Dë Molej u shkarkua nga detyrat e tij me urdhër të Papës Klementi V në vitin 1307.
Ekzekutimi i Tempullarëve
Për shkak të urdhrave të Filipit IV, torturat mbi Tempullarët u kryen në mënyrat më të tmerrshme të njohura deri në atë kohë. Një nga një, burrat e torturuar nga Inkuizicioni Mesjetar, dhanë rrëfime të rreme për të ndalur vuajtjet e mëtejshme.
Por Mjeshtri i Madh nuk u dorëzua, ndaj Filipi vendosi që ta digjte atë në turrën e druve. Pas 7 viteve burgim dhe tortura, për Zhak Dë Molej mbaroi më në fund kalvari i vuajtjeve, pasi Kardinalët ranë dakord për dënimin e tij me vdekje. Sipas dëshmitarëve okularë,në momentin e ekzekutimit Dë Molëj nuk shfaqi asnjë shenjë frike, dhe u përpoq të mos tregonte dhimbje gjatë vdekjes së tij të ngadaltë në turrën e druve.
Shumica e ekzekutimeve përgatiteshin në mënyrë të tillë që viktimat të vdisnin shpejt. Por në rastin e Dë Molej, u përgatit një zjarr që do të digjej ngadalë. Para se të vdiste, mjeshtri bërtiti edhe njëherë me zë të lartë. Pasojat e fjalëve që tha në atë moment, mund të kenë bërë që mbreti dhe kardinalët të pendoheshin pse nuk e lejuan atë të vdiste brenda pak minutash, ashtu si kalorësit e tjerë.
Një mallkim që tmerroi gjithë Evropën
Në kohën që po digjej në turrën e druve, Dë Molej mallkoi mbretin Filip IV të Francës, pasardhësit e tij, Papën Klementi V, dhe të gjithë të tjerët që mbështetën vdekjen e tij. Dë Molej tha se brenda një viti dhe një dite, Klementi V dhe Filipi IV do të vdisnin.
Ai shtoi se linja e gjakut e Filipit nuk do të mbretëronte më në Francë. Dhe në fakt ndodhi ashtu siç donte Dë Molej. I pari që vdiq ishte Papa Klementi V. Ai e humbi betejën me një sëmundje të rëndë më 20 prill 1314. Menjëherë pas Papës, vdiq edhe mbreti Filip si pasojë e një goditjeje në tru gjatë gjuetisë.
Vdekje tragjike patën edhe të gjithë pasardhësit e Filipit. Midis viteve 1314-1328 të tre djemtë dhe nipërit e mbretit francez vdiqën. Brenda 14 vjetëve nga vdekja e Dë Molej, Shtëpia mbretërore e Kapatinëve nuk ekzistonte më,edhe pse kishte qenë në krye për 300 vjet me radhë.
A ishte vërtetë mallkimi i Dë Molej? Apo kalorësit e tij arritën të marrin hak për vdekjen e Mjeshtrit të Madh? Historia e Mjeshtrit të fundit të Madh, dhe mallkimi i tij i tmerrshëm i tmerroi të gjitha oborret mbretërore evropiane. Po ashtu ai e dëmtoi politikën në Francë, pasi disa nga sundimtarët kishin frikë nga bashkëpunimi me familjen e mallkuar mbretërore.
Frymëzimi nga mallkimi
Kjo histori u bë tema kryesore e serisë së famshme të romaneve historike nga Moris Dryon (Mbretërit e mallkuar). Librat u botuan gjatë viteve 1955-1977, dhe përshkruajnë realitetin e kohës kur jetoi Dë Molej. Po ashtu ato u përshtatën në disa filma dhe mini-seri televizive.
Në shtatorin e vitit 2001, Barbara Frale, paleografe italiane në Arkivat Sekrete të Vatikanit zbuloi një dokument të njohur si “Pergamena Chinon”. Ajo pretendon se në vitin 1208 Papa Klementi V e liroi Zhak Dë Molej dhe pjesën tjetër të udhëheqjes së Kalorësve Tempullarë nga akuzat e ngritura kundër Inkuizicionit.
Gjashtë vjet më vonë, Vatikani e publikoi dokumentin si një botim të kufizuar në vetëm 800 kopje. Në qershorin e vitit 2011, Papa Benedikti XVI kërkoi ndjesë publike për vrasjen e Dë Molej, dhe pranoi se ai ishte viktimë e akuzave të rreme. Disa shekuj pasi ndodhi tragjedia, Vatikani e pranoi se Papa i kishte mbështetur vrasjet, edhe pse Tempullarët nuk ishin fajtorë./Ancient Origins, Bota.al
Fraksion.com