Le Drian: Riparimi i marrëdhënieve Francë-SHBA do të marrë kohë
Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian i tha Sekretarit të Shtetit Antony Blinken të enjten se do të duhet “kohë” dhe “veprime” për të riparuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara pas një marrëveshjeje të Uashingtonit me Australinë për nëndetëset, e cila dëmtoi Francën.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara, Britani dhe Australia njoftuan një marrëveshje, sipas së cilës Britania dhe Shtetet e Bashkuara do të furnizojnë Australinë me nëndetëse me energji bërthamore.
Ky veprim zemëroi Francën, e cila tërhoqi ambasadorët e saj nga SHBA dhe Australia. Franca, në pesë vitet e fundit është angazhuar për arritjen e një marrëveshje për furnizimin e Australisë me nëndetëse konvencionale, të cilat operojnë me naftë.
Më herët gjatë javës, Le Drian shprehu shqetësim për atë që ai e karakterizoi si “mashtrim” nga njëri prej aleatëve më të vjetër të vendit të tij.
Ai u tha gazetarëve në OKB këtë javë se Shtetet e Bashkuara goditën Francën pas shpine dhe fshehën marrëveshjen e re për muaj të tërë.
Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price, Le Drian dhe Blinken “folën mbi planet për konsultime të thelluara dypalëshe mbi çështjet e rëndësisë strategjike. Ata diskutuan strategjinë e BE-së për bashkëpunim në rajonin e Indo-Paqësorit.”
Të mërkurën, Presidenti Joe Biden dhe Presidenti Francez Emmanuel Macron zhvilluan një bisedë telefonike në përpjekje për të rindërtuar besimin midis dy aleatëve të NATO -s./voa
Fraksion.com