AktualitetBota+Të fundit

Kina, e shqetësuar nga forcimi ushtarak i Australisë

Kina po e ndjekë me shqetësim rritjen e aftësive ushtarake të Australisë.

“Ndërsa Australia po distancohet nga Kina, Pekini mendon se ajo (Australia) po i afrohet Shteteve të Bashkuara”, thotë Oh Ei Sun, studiues i lartë në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare të Singaporit.

Gjatë dekadës së fundit, Australia ka forcuar ushtrinë e saj. Kina është e shqetësuar veçanërisht për partneritetin e Australisë me Shtetet e Bashkuara, fuqia më e madhe ushtarake e botës, për të kontrolluar zgjerimin detar kinez, thonë ekspertët.

Tashmë e trazuar, marrëdhënia kino-australiane që dikur lulëzonte mori një goditje tjetër javën e kaluar pasi Australia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania nënshkruan një partneritet trepalësh në fushën e sigurisë. Marrëveshja, e quajtur AUKUS, do të mundësojë ndarjen e teknologjisë së sofistikuar ushtarake dhe do ta pajisë Australinë me tetë nëndetëse me energji bërthamore.

Marrëveshja AUKUS është e fundit në një seri ngjarjesh që kanë acaruar marrëdhëniet midis Kinës dhe Australisë. Studiuesit i referohen tre kryeministrave me prirje anti-kineze të zgjedhur në Australi që nga viti 2013, së bashku me reagimin e Kanberrës ndaj interesave kineze në vend, nga i cili Kina kërkon furnizime të çmuara të xeheroreve të hekurit dhe qymyrgurit.

“Unë mendoj se bashkimi i këtyre faktorëve çoi në përkeqësimin e marrëdhënieve midis Australisë dhe Kinës”, thotë studiuesi Oh. “Mund të ketë përballje mes anijeve australiane dhe atyre kineze, le të themi, në Detin e Kinës Jugore, që do të përkeqësonte më tej marrëdhëniet mes tyre.”

Mosmarrëveshjet mbi burimet natyrore të lakmuara të Australisë, ndikimi ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Azi-Paqësor dhe udhëheqësit me pikëpamje politike konservatore në Kanberra po nxisin dobësimin e marrëdhënieve me Kinën, thonë ekspertët në të dyja vendet.

Dekada e rënies

Marrëdhëniet kino-australiane dukej se kishin një të ardhme pozitive kur ish-kryeministri australian Kevin Rudd, i cili flet dialektin mandarin të gjuhës kineze, mori detyrën në vitin 2007, duke gëzuar udhëheqësit kinezë.

Dy vjet më vonë, marrëdhëniet filluan të zbeheshin pas dështimit të përpjekjes së korporatës kineze të aluminit “Chinalco” për të blerë gjigantin australian të minierave “Rio Tinto” dhe vizitës në Australi të një udhëheqësi të lëvizjes së ujgurëve për pavarësi, thotë Fujian Li, studiues në institutin kërkimor “Future Directions International”, me qendër në Perth.

Kinezët u zemëruan kur firmat australiane të minierave rritën çmimin e xeheroreve të hekurit, duke dëmtuar interesat kineze, thuhet në një shkrim të zotit Li të publikuar në maj të këtij viti 2021. Këto incidente ishin “një ilustrim se Kina dhe Australia nuk ishin dakord me njëra-tjetrën në aspektet strategjike, ekonomike dhe politike”, tha ai.

Më vonë, Australia nuk e lejoi gjigantin kinez të telekomit Huawei të merrte pjesë në një projekt kombëtar të ndërtimit të infrastrukturës për përdorimin e teknologjisë 5G. Vitin e kaluar Australia, nën drejtimin e Kryeministrit Scott Morrison, bëri thirrje për një hetim në Kinë mbi origjinën e Covid-19.

Kina u kundërpërgjigj duke refuzuar të pranojë lëndë drusore nga katër shtete australiane dhe duke bllokuar dhjetëra anije të mëdha australiane me qymyrgur jashtë dy porteve kineze, me vlerë 700 milionë dollarë. Importuesit kinezë ishin paralajmëruar që në nëntor për të shmangur qymyrgurin australian.

“Situata u përshkallëzua në mënyrë të konsiderueshme në vitin 2020, kur Pekini filloi të vendoste masa të rrepta tregtare ndaj eksporteve kryesore të Australisë në Kinë”, thotë Rajiv Biswas, ekonomist për rajonin e Azi-Paqësorit në firmën “IHS Markit”.

Shqetësimi më i madh i Kinës

Kina shqetësohet kryesisht për aleancën e Australisë me Shtetet e Bashkuara, superfuqi rivale e Pekinit, thonë analistët.

Zëdhënësi i Ministrisë Kineze të Punëve të Jashtme, Zhao Lijian, sulmoi të dyja vendet në një konferencë shtypi javën e kaluar.

“SHBA dhe Australia po luftojnë së bashku, duke diskredituar qëllimisht Kinën për interesat e tyre gjeopolitike, duke ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës dhe duke sfiduar marrëdhëniet mes vendeve të rajonit”, tha ai. “Kina shpreh me forcë pakënaqësitë dhe kundërshtimet e saj ndaj këtyre përpjekjeve.”

Në gusht, ambasada kineze në Australi pranoi “situatën e vështirë në marrëdhëniet dypalëshe”. Tre vjet më parë, Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi i kishte kërkuar Australisë që të rriste bashkëpunimin me Kinën në vend që ta pengonte atë.

Anijet luftarake amerikane tashmë kalojnë rregullisht, 10 herë në vitin 2020, për shembull, përmes Detit të Kinës Jugore, një rrugë ujore që Pekini thotë se i takon atij, pavarësisht se ky pretendim u hodh poshtë nga një gjykatë ndërkombëtare pesë vjet më parë. Uashingtoni ka kërkuar që Kanberra t’u bashkohet aleatëve të tjerë perëndimorë për të mbrojtur lirinë e lundrimit në det.

Eksperti Oh thotë se Kina është “e shqetësuar” nga bashkëpunimi ushtarak Australi-SHBA, ideologjia e udhëheqësve të Kanberrës dhe lidhjet në rritje të Australisë me vendet e Azisë Juglindore, përfshirë ato që kanë pretendime territoriale në Detin e Kinës Jugore.

Çfarë pritet në të ardhmen?

Më shumë sanksione ekonomike kineze ndaj Australisë janë të mundshme, thonë analistët. Megjithatë, shënjestrimi i hekurit dhe qymyrit mund të zvogëlojë qasjen e Kinës në burime të nevojshme, thonë disa ekspertë të tjerë.

Australia po fillon të diversifikojë eksportet në Evropë, Lindjen e Mesme dhe pjesë të tjera të Azisë, ku ka më shumë hapësirë për rritje, thonë analistët.

“Australia ka një rol strategjik në (Azi-Paqësor), duke patur lidhje të forta si me vendet aziatike ashtu edhe me ato perëndimore”, thotë Stuart Orr, drejtor i Fakultetit të Biznesit në Institutin e Teknologjisë në Melburn.

Por madhësia e ekonomisë së Kinës mund të detyrojë Australinë të jetë më e kujdesshme, tha Biswas.

Kina është partneri më i madh tregtar i Australisë në fushën e eksportit dhe importit. Sipas Departamentit Australian të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, në vitin 2020, 31% e shkëmbimeve tregtare globale të Australisë ishin me Kinën, duke arritur vlerën e 177.4 miliardë dollarëve.

 

Fraksion.com