AktualitetPolitikëTë fundit

DW: Ja si reagon politika e Tiranës për situatën mes Kosovës dhe Serbisë

Qëndrimi i kryeministrit Rama pas konfliktit të ri mes Kosovës dhe Serbisë; Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë.

Si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama edhe kryetari i Partisë Demokratike, (PD) më të madhes në opozitë në Shqipëri, Lulzim Basha reaguan në mbrëmjen e të martës,(21.09) për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, pas vendosjes nga qeveria e Kosovës të reciprocitetit për targa të përkohshme kosovare në automjetet që hyjnë nga Serbia në Kosovë.

Në një postim në twitter kryeministri Rama i jep të drejtë Kosovës për masën e marrë, por sugjeron që të shmanget bumerangu i ngrirjes së konfliktit.”Kosova e ngre problemin me plot të drejtë. Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%). Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”, theksoi Rama në Twitter.

Edhe kreu i PD dhe i opozitës, Basha në reagimin e tij po në twitter e quan reciprocitetin “një të drejtë të patjetërsueshme të Kosovës.””Kosova është shtet i pavarur dhe marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti. Gjuha kërcënuese e Beogradit i përket një të shkuare që askush nuk e kthen dot më! Kjo është e drejtë e patjetërsueshme e Kosovës. Sa më shpejt ta kuptojë këtë Beogradi aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe për marrëdhëniet mes vendeve të rajonit”, ka theksuar, kreu i opozitës, Lulzim Basha.

 

Fraksion.com