“Çfarë i kërkuan Kadri Hazbiu me Hekuran Isain, Xhevdet Mustafës, gjatë kohës që ai ishte i rrethuar…”; Dëshmia e të zotit të shtëpisë
Publikon historinë e panjohur të ngjarjes së bujshme të ndodhur në 26 shtatorin e largët, të vitit 1982. Diku rreth mesditës, në rrugën nacionale Rrogozhinë-Lushnje, pasi kishte marrë me forcën e armëve një auto veturë ‘Taxi’, Xhevdet Mustafa, ndaloi në afërsi të fshatit Zhamë. Pasi u ngjit në një kodrinë, u fut në një nga shtëpitë e familjes Sula, ku dhe do të mbetej i rrethuar nga forcat e Policisë dhe ato të Ushtrisë. Këto forca ishin nën urdhrat e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Lushnjes dhe nën mbikëqyrjen e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, Ministrit të Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, sekretares së Komitetit Qendror të PPSH-së, Lenka Çuko, etj, të cilët mbërritën menjëherë aty. Dëshmitë e rralla të Kurt Sulës, ish-mësuesit dhe agronomit të njohur të asaj zone, i cili tregon historinë e asaj ngjarje, duke filluar që nga momenti kur Xhevdet Mustafa, u fut i armatosur në shtëpinë e vëllait të tij, Mersinit, ku ai me fëmijët e tij dhe të vëllezërve, po ndiqnin një film në TV. Si e vrau Xhevdeti, nënoficerin e Policisë Rrugore, Tomor Zyla dhe Mersin Sulën? Rrethimin e shtëpisë nga ana e forcave të Policisë dhe Ushtrisë, që ishin nën urdhrat e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Lushnjes? Ardhjen e ministrave Kadri Hazbiu, Hekuran Isai si dhe të Lenka Çukos, thirrjet e tyre që Xhevdeti, të dorëzohej dhe përgjigjet e tij, futjen e Kurtit në shtëpi ku Xhevdeti? Ai mbante peng gratë dhe fëmijët, bisedat midis tyre, momentin kur Kurti me “Belçikun” e tij, qëlloi dhe e la të vrarë Xhevdetin, futjen e autoblindës së Ushtrisë, që shembi shtëpinë? Marrjen e kufomave dhe varrimin e tyre të nesërmen me ceremoni, ku fjalën e rastit e mbajtën autoritetet më të larta të Komitetit të Partisë dhe atij Ekzekutiv, të rrethit të Lushnjes, Gjergj Velaj e Filip Ndoci. Shpallja “Dëshmor të Atdheut” të tyre në vitin 1986, si dhe takimi i Kurtit me familjarët e Xhevdet Mustafës, në vitin 1993, të cilët nuk i lejoi që të ngrinin aty një lapidar, etj.
Zoti Kurt, a ju dha njeri armë?
Ndërkohë unë pashë aty afër një nipin tim, Tajar Sulën, i cili kishte një armë me vete. Ajo ishte një “Belçik, “që ai e kishte marrë në ngarkim, si pjesëtar i çetave vullnetare. Ja kërkova atij armën, i cili ma dha menjëherë. Pasi e mora “Belçikun”, ata të Degës Brendshme dhe vetë kryetari nuk donin të më linin që unë të futesha brenda, por unë ju shmanga atyre dhe përsëri me armë në dorë, u nisa drejt shtëpisë, për t’u futur brenda, andej nga ai drejtim që kisha dalë, por qëndrova një çast, se dëgjoja ata të Degës së Punëve të Brendshme, që i bënin thirrje Xhevdetit, për t’u dorëzuar. Nga të katër anët dukeshin njerëzit që kishin zënë pozicione, kishte dhe shumë që rrinin në këmbë me armë në dorë. Aty komandonin ata të Degës së Brendshme dhe oficerët e ushtrisë, të cilët herë pas herë qëllonin në ajër dhe i bënin thirrje Xhevdetit për t’u dorëzuar.
Konkretisht, kush i bënte thirrje Xhevdetit për t’u dorëzuar?
Kryetari i Degës së Brendshme të Lushnjes i thirri në emër Xhevdetit, duke i thënë: “Dil jashtë e dorëzohu, se ta kemi falur jetën”.
A u përgjigj Xhevdeti thirrjeve të tij?
Xhevdeti nga brenda i’u përgjigj: “Or pisa, dilni njëherë këtej t’ju shoh fytyrën, e pastaj flasim”. Ata nuk qëllonin në drejtim të shtëpisë, pasi e dinin se aty ai kishte mbajtur peng gratë e fëmijët.
Është thënë se aty kanë ardhur vetë Kadri Hazbiu me Hekuran Isain, a i keni parë ju ata?
Po, kjo është e vërtetë. Aty rreth orës 14.30, pasi unë kisha dalë jashtë nga shtëpia, nga ana e prapme e shtëpisë, te porta e oborrit, pashë ministrin e Mbrojtjes, Kadri Hazbiun me Hekuran Isain dhe Lenka Çukon.
Vetëm ishin ata, apo me të tjerë?
Ata i shoqëronte kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Lushnjes dhe ishin të rrethuar edhe me disa policë, siç duket për mbrojtje. Ata kishin ardhur nga ana e pasme e shtëpisë, në një rrugë që vinte paralel me hekurudhën.
A mbani mend të ketë komunikuar Kadri Hazbiu me Xhevdet Mustafën?
Po patjetër, gjatë asaj kohe që siç thashë, unë kisha dalë nga shtëpia, e po qëndroja fare afër tyre, Kadri Hazbiu i tha. “Dorëzohu o Xhevdet Mustafa, se nuk të bëjmë gjë”.
A morri përgjigje Kadri Hazbiu pas atyre fjalëve?
Në atë moment nuk më kujtohet t’i jetë përgjigjur Xhevdeti.
Po përveç Kadri Hazbiut, a i bëri njeri tjetër thirrje Xhevdetit për t’u dorëzua?
Pas Kadri Hazbiut, atij foli dhe kryetari i Degës së Lushnjes, ose Hekuran Isai, nuk më kujtohet mirë, duke i thënë që të dorëzohej. Por mbaj mënd fjalët që ata i thane: “Ne i kemi falur jetën Kiço Ngjelës, edhe ty do ta falim”.
Po këtyre, i’u përgjigj Xhevdeti?
Pas këtyre thirrjeve, Xhevdeti u përgjigj: “Dilni t’ju shoh njëherë surratin, pastaj shohim e bëjmë”.
Po për të qëlluar, qëllonte me armë?
Përveç sharjeve që ai u bënte, herë pas here qëllonte dhe me pistoletë nga dritarja.
Po ndaj tij, a qëllohej me armë nga policia apo forcat e tjera që e kishin rrethuar?
Ndaj tij nuk qëllonte njeri, pasi kishin frikë mos vrisnin fëmijët. Gjatë gjithë kohës, forcat që kishin rrethuar shtëpinë qëllonin vetëm në ajër për ta trembur. Po kështu, mbaj mënd se edhe autoblinda qëlloi me topin e saj në ajër.
Çfarë bënë më pas Kadri Hazbiu me Hekuran Isain?
Nuk di të them se çfarë kanë bërë ata tjetër pas thirrjeve që i bënë për t’u dorëzua, sepse unë pak kohë i pashë.
Pse nuk qëndruan ata deri në fund, pra deri kur Xhevdeti mbeti i vrarë?
Kadri Hazbiu, Hekuran Isai dhe Lenka Çuko, mbaj mënd se janë larguar prej aty, rreth orës 17.00, të përcjellë nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Lushnjes.
Është thënë, se gjatë asaj periudhe kohe që Xhevdeti mbahej i rrethuar aty në shtëpinë e vëllait tuaj, Kadri Hazbiu me Hekuran Isain, nëpërmjet një automjeti ushtarak të Ndërlidhjes, me një radio marrëse-dhënëse, merrte urdhra e porosi nga Tirana. Ju dini gjë rreth kësaj?
Unë nuk kam parë gjë, por atë ditë, flitej se gjatë asaj kohe që ata erdhën aty, janë lidhur me radio a me telefon me Enver Hoxhën, i cili i kishte porositur që të kihej kujdes mos vritej populli.
Gjatë kësaj kohe, a liroi Xhevdeti ndonjë nga gratë a fëmijët që kishte mbajtur peng?
Po, rreth orës 15.00, Xhevdeti liroi gruan e Mersinit (Shehjen), nënën e shtatë fëmijëve që ishin peng aty brenda. Më pas ai liroi dhe një fëmijë disa muajsh, të cilin e nxorën nga penxherja dhe e mori në dorë nëna e tij, Shehja, që ishte liruar pak më parë.
Ju hytë përsëri në shtëpi?
Patjetër, rreth orës 17.30, pasi kishin ikur prej aty Kadri Hazbiu me Hekuran Isain e Lenka Çukon, unë tentova dhe u futa përsëri në shtëpi. Nuk mund të rrija më jashtë kur dëgjoja të thirrurat e fëmijëve që ishin aty, e sidomos të vajzës sime të vogël, Anitës, që thërriste: babi, babi’. Unë isha i bindur se Xhevdeti nuk donte të na vriste ne njerëzit e shtëpisë. Ai dhe Mersinin e vrau kot, se kujtoi se mos ishte Tomorr Zyla. Ai aty na kishte të gjithëve, po të donte na vriste.
Nuk pate ndonjë pengesë nga ata të Degës së Punëve të Brendshme, për t’u futur në shtëpi…?!
Jo vetëm që nuk më ndaluan, por përkundrazi, ata më nxitën që të hyja përsëri brenda!
Konkretisht, çfarë ju thanë?
Përpara se të futesha në shtëpi, njeri nga ata të Degës më tha: “Futu në shtëpi, se do të mbrojmë ne që nga jashtë”.
Si i’u përgjigjët ju?
Atij unë i thashë se e dija vetë atë gjë. Sapo hyra në shtëpi, u afrova te dhoma ku qëndronin Xhevdeti me njerëzit e shtëpisë. I rashë derës me shqelm dhe u largova mbrapa në korridor, në një kënd që ai nuk mund të më qëllonte. Dera u hap në një kënd afër 45 gradë.
Kush e hapi derën?
Faktikisht, derën e dhomës e ka hapur vajza ime, Anita 11-vjeçare, sepse asaj pas vrasjes Xhevdetit, ne i pamë një plagë plumbi në krah, që duhet të jetë qëlluar nga Xhevdeti, kur ajo ka tentuar të hapë derën. Nga Xhevdeti është plagosur dhe gruaja e Ramadanit, Shefikoja, e cila më pas u lirua nga ai, e doli jashtë shtëpisë. Nga ai kënd që formoi dera e hapur, unë shikoja brenda dhomës fëmijët të strukur në një cep të shtëpisë, ku Xhevdeti qëndronte mes tyre, e kishte vënë një dollap për t’u mbrojtur. Nga aq pamje sa shikoja, në një distancë katër-pesë metra, unë ngrita “Belçikun” dhe qëllova një herë në drejtim të tij, në lartësinë e kokës.
Nga plumbat që qëlluat ju në drejtim të tij, mbeti i vrarë Xhevdeti?
Them se plumbi im e ka kapur o në kokë, o në gjoks, sepse mbas kësaj, ai nuk reagoi të qëllonte më në drejtimin tim, nga i erdhi plumbi.
Çfarë bëre pas kësaj?
Pasi prita disa çaste, ashtu pa lëvizur, dola te dritarja e dhomës tjetër dhe ju thirra atyre qe ishin jashtë: Mos qëlloni, se e vrava.
Sa ishte ora në ato momente, ju kujtohet?
Në atë moment ora duhet të kishte kaluar 18.30. Pas kësaj në drejtim të shtëpisë u fut autoblinda, e cila u afrua nga ana veriore e shtëpisë, për te dhoma ku ishte Xhevdeti me fëmijët, dhe goditi murin, duke rrëzuar atë në një masë afër dy tre metra katrorë. Mbasi unë qëllova mbi Xhevdetin, fëmijët që ishin brenda, bërtitën: “U vra, u vra”. Pas kësaj në drejtim të shtëpisë u afruan shumë ushtarakë të armatosur, dhe një Operativ i Ushtrisë, hyri brenda në korridor, ku isha unë dhe u fut për te dhoma ku Xhevdeti ishte i rrëzuar përdhe.
Në ato momente, kishte shenja jete Xhevdeti?
Nuk mund të them a kishte vdekur apo jo, por Operativi u afrua sipër tij dhe i zbrazi një karikatorë pistolete, të gjithë mbi të, kryesisht në kokë.
Në ato momente që ai Operativi qëllonte mbi Xhevdetin, a kishte njeri tjetër nga familja në atë dhomë?
Në atë kohë që u vra Xhevdeti, brenda ndodheshin gjashtë fëmijë, e midis tyre, dy vajzat e plagosura, Anita me Violetën. Pasi qëlloi Xhevdetin, Operativi nxori dy vajzat e plagosura, të cilat u nisën për në spital. Pas Operativit, aty u fut dhe një person tjetër i quajtur A.I., i cili e goditi kufomën e Xhevdetit me bajonetë pushke, vetëm një here, pasi nuk e lanë.
Kush e ndaloi…?!
Dikush i bërtiti: “Mos ja prish fytyrën”. Në momentin që Xhevdeti është vrarë, ka qenë vetëm me pantallona pa fanellë, dhe trupin e kishte të lyer të gjithë me vaj.
Ç’ndodhi pas vrasjes së Xhevdetit?
Në atë kohë, unë u afrova te kufomat e vëllait tim Mersinit, e Tomorr Zylës, që qëndronin akoma deri në ato çaste aty, pasi nuk i prekte dot njeri, nga frika se mos qëlloheshin prej Xhevdetit, dhe ju hodha nga një çarçaf përsipër. Pas kësaj, së bashku me tre katër të tjerë të Degës së Brendshme, dy nga këmbët e dy nga krahët, kemi kapur kufomën e Xhevdetit dhe e kemi hipur në një makinë ushtarake, që ishte afruar aty pranë shtëpisë. Nuk kam parë njeri më të rëndë, them se ishte mbi 100 kg.
Po me kufomat e vëllait tuaj dhe Tomorr Zylës?
Po kështu, më pas kemi hipur po në një makinë ushtrie dhe kufomat e Mersinit e Tomorr Zylës, të cilat u nisën për në spitalin e Lushnjes. Gjatë kohës që po hipnim kufomën e Xhevdetit në makinë, unë i mora nga qafa e tij një tip hajmalie, të cilën e dorëzova të nesërmen në Degën e Lushnjes. Në ato momente, diku rreth orës 19.00, te shtëpia u mblodhën me qindra vetë. Unë nuk qëndrova aty, por u nisa në drejtim të spitalit në Lushnje, ku ishin kunata e dy fëmijët e plagosur dhe ata të tjerët të traumatizuar nga ajo ngjarje, ku qëndruan rreth shtatë orë peng.
Kur u bë varrimi i Mersinit, kush mori pjesë nga zyrtarët e lartë dhe çfarë u tha aty?
Të nesërmen e asaj dite u bë varrimi i Mersinit. Aty kishin ardhur me qindra vetë, njerëz tanët e bashkëfshatarë. Po ashtu kishin ardhur dhe nga Komiteti i Partisë rrethit dhe nga ai Ekzekutiv, shokët Gjergj Velaj e Filip Boci. Në fjalën që u lexua nga Filipi a nga Gjergji, (nuk më kujtohet mire), në mes të tjerave u tha: “Ishte një akt heroik i Mersin Baftjar Sulës, i lindur më 16 tetor 1944, i cili për të shpëtuar nderin e familjes, dha jetën duke u vrarë nga një agjent i quajtur Xhevdet Mustafa, autor i 700 krimeve në Itali, Amerikë, e vende të tjera. Qëllimi i këtij agjenti ishte që të vriste Sekretarin e Parë të PPSH-së, Enver Hoxhën, por ai këtu në Shqipëri, nga arma e Sigurimit dhe syri vigjilent i popullit, u vra para se të realizonte qëllimet e tija…”!
Si u trajtuat ju si familje nga shteti komunist pas kësaj ngjarjeje?
Nga ana e shtetit nuk patëm ndonjë ndihmë të veçantë. Për shtëpinë që u prish nga ndërhyrja e autoblindës, shteti i sistemoi familjen e Mersinit të vrarë, në një apartament në pallat (500 m. më larg nga aty), kurse Ramadanit, i bënë një shtëpi private tjetër. Kjo ishte e gjithë ndihma materiale.
Po familjen e Tomorr Zylës…?!
Në vitin 1986, unë takova vëllanë e Tomorr Zylës, Fatmirin, që ishte dhe ai ushtarak, i cili më tha të interesohesha se ai e kishte shpallur vëllanë e tij dëshmor. Kështu dhe unë bëra dokumentet dhe u shpallën dëshmor jo vetëm Mersini, por dhe të gjithë ata të tjerët, që u vranë nga Xhevdet Mustafa. Që nga ajo kohë, eshtrat e tyre u dërguan në Varrezat e Dëshmorëve të Lushnjes, ku janë edhe sot.
Po me familjen e Xhevdet Mustafës në Durrës, çfarë marrëdhëniesh keni?
Nuk kemi pasur asnjë problem me ta. Vetëm pas ardhjes së demokracisë, diku nga viti 1992, ata erdhën këtu te ne dhe thanë se do t’i bënin një lapidar, pasi “Xhevdeti ishte një antikomunist dhe kishte dhënë jetën me qëllimin për të vrarë Enver Hoxhën”. Unë nuk i lejova ata, duke i’u thënë se nuk mund të bënin lapidar aty mbi gjakun e vëllait tim. Ata e kuptuan këtë gjë dhe u larguan. /Memorie.al
Fraksion.com