Reciprociteti i targave, Rama mbështet Kosovën: Serbia të bashkëpunojë! Kurti, ambasadorëve: Ato lloj targash ose i përdorim të dyja shtetet ose asnjëra
Mëngjesi i së martës e ka gjetur të bllokuar rrugën në pikën kufitare në Jarinjë , me forcat e policisë së Kosovës të cilat kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës pas protestave lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për masë reciprociteti për targat e veturave të regjistruara në Serbi, që hyjnë në Kosovë.
Kosova duhet të ndryshojë vendimin për targat e automjeteve ose në të kundërt Serbia do të ndërmarrë masa. Kështu është shprehur presidenti serb Aleksandër Vuçiç në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, pa specifikuar masat që do të ndërmarrë.
“Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija”, tha Vuçiç.
Presidenti serb kërkoi që Kosova të tërheqë forcat policore nga veriu i vendit dhe bëri thirrje për ndërhyrjen e Bashkimit Evropian.
“Diskutuam për situatën në Kosovë e Metohi, veçanërisht pas aksionit kriminal të Prishtinës dhe inkursionit të gjashtë në veri, me përdorimin e automjeteve të blinduara, armëve dhe ngacmime të qytetarëve. Duhet që të tërhiqen menjëherë të gjithë trupat nga veriu i Kosovës dhe Metohisë dhe duhet të kemi kthimin në gjendjen e mëparshme’, tha Vuçiç.
Ndërkohë që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas një takimi me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog tha se vendimi duhet të jetë i njëjtë për të dyja palët.
“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia” theksoi kryeministri Kurti.
Vuçic tha se Serbia do të kërkojë një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian nëse marrëveshja e Brukselit është e ligjshme ose jo dhe se kur do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ai shtoi se kishte biseduar me ambasadorët e vendeve më të fuqishme perëndimore për një zgjidhje kompromisi, të cilin ai e kishte refuzuar sepse për të nënkuptonte poshtërim të Serbisë. Ndërkohë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbështetur Kosovën, duke nënvizuar se ka ngritur problemin me plot të drejtë dhe se Serbia duhet të bashkëpunojë.
Sakaq situata vijon të jetë e tensionuar në kufi. Qytetarët serbë kanë qëndruar gjatë gjithë natës duke bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës, në shenjë proteste për vendimin e reciprocitetit për targat e Republikës së Kosovës.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Fraksion.com