Zgjedhjet parlamentare në Rusi
Rusia votoi sot për parlamentin e vendit, duke i dhënë fund zgjedhjeve treditore në atë vend mes akuzave për parregullsi të gjera dhe shtypjes së lëvizjes së politikanit të burgosur opozitar Alexey Navalny.
Partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, e Presidentit Vladimir Putin pritet të fitojë zgjedhjet, pavarësisht sondazheve që tregojnë për rënie të mbështetjes. Autoritet eliminuan nga fletët e votimit kritikët e zëshëm ndërsa shtypën median e pavarur ruse.
Por partia që mbështet Presidentin Vladimir Putin mund të rrezikojë të humbasë shumicën e gjerë në parlament. Anketat e opinionit publik para zgjedhjeve tregonin se popullariteti i partisë në pushtet kishte rënë në rreth 30%.
Rusia e Bashkuar aktualisht ka tre të katërtat në parlamentin me 450 vende, duke gëzuar kështu kompetenca të shumta, përfshirë aftësitë për të ndryshuar kushtetutën, sikurse bëri vitn e kaluar duke lejuar që zoti Putin të kandidojë për postin e presidentit edhe për dy mandate të tjera pas vitit 2024.
Komunistët rusë, partia e dytë më e fortë në vend, kanë shanse të fitojnë më shumë vende. Komunistët ruajnë mbështetje të fortë mes të moshuarve por kësaj radhe mund të fitojnë përkrahje edhe nga mbështetësit e opozitarit të burgosur Alexey Navalny.
Strategjia e opoztarit Navalny është e lidhur me nismën e tij “Smart Voting” – një mjet i promovuar si një mënyrë që votuesit kundër Putinit të identifikojnë kandidatët që kanë shansin më të mirë për të mposhtur një kandidat të Rusisë së Bashkuar në mënyrë që të mos përçahet opozita.
Shumica e kandidatëve të identifikuar nga nisma janë nga Partia Komuniste, edhe pse ajo dhe dy parti të tjera në parlament (Duma) rrallë votojnë kundër nismave të shumicës ose atyre të mbështetura në mënyrë të veçantë nga Kremlini./VOA
Fraksion.com