Rama në Kuvend: Dora jonë e shtrirë ndaj PD-së
Kryeministri i dekretuar Edi Rama prezantoi sot në Kuvend programin qeverisës në mandatin e të tretë të tij.
Në fjalën e tij në Kuvend, kryeministri Rama deklaroi se dora jonë është e shtrirë ndaj Partisë Demokratike.
“Kjo nuk është një fjalë sa për të kaluar radhën, por është një vijë mendimi, për të cilën ne do të bëjmë gjithçka është e mundur për ta bërë një vijë sjelljeje përgjatë këtij mandati sfidues për Shqipërinë“, deklaroi Rama.
Rama tha se mazhoranca nuk kërkonte asnjë lëshim nga PD. Por shtoi ai, jemi gati të dialogojmë me ju për çdo lëshim që ju doni.
“Ne nuk na duhet asnjë votë e juaja dhe nuk synojmë të arrijmë asnjë kompromis që ju nuk dëshironi. Por, jemi gati të merremi vesh me ju për çdo gjë që ju dëshironi dhe i bën mirë vendit, njerëzve, të ardhmes”, u shpreh kryeministri.
Rama më tej tha se kishte dëgjuar në distancë disa nga synimet e opozitës.
“Jemi të hapur të dialogojmë drejtpërdrejtë me ju. Por një gjë mbajeni sidoqoftë parasysh. Me urdhëra, kërcënime, ultimatume me ne nuk keni arritur dhe nuk do të arrini asnjëherë asgjë. Ndërsa me komunikim të drejtpërdrejtë duke folur e dëgjuar njëri-tjetrin me argumente e me durim ne mund të merremi vesh për shumëçka”.
Rama e ripërsëriti sërish qëndrimin e tij s ai takon ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në zgjidhjen e problemeve të brendshme.
“Është thjesht një përsëritje e kam komunikuar fill pas përfundimit të Reformës Zgjedhore. Asnjëherë dhe për asnjë arsye unë dhe kjo shumicë qeverisëse nuk do të pranojmë asnjë lloj ndërmjetësuesi të huaj për të zgjidhur problemet ngërçet krizat e brendshme politike apo institucionale. Ato shkaktohen “alla shqiptarçe” nga ne dhe nga ju, jo nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë. Prandaj do të zgjidhen vetëm nga ne, jo duke folur anglisht me njeri-tjetrin, por vetëm shqip”, deklaroi kryeministri.
Fraksion.com