Ende asnjë gjurmë nga minatori që mbeti i bllokuar në minierën në Bulqizë
Minatori Muharrem Plaku i cili mbeti i bllokuar, pasi galeria e kromit ku punonte u shemb në Bulqizë, ende nuk është gjetur. Pas më shumë se 20 orësh, 60-vjeçari, me detyrë zjarrmëtar, ka mbetur në galeri prej orës 12:00 të një dite më parë dhe ende nuk dihet fati i tij.
Burimet thanë se në Galerinë 3, që menaxhohet nga kompania minerare “KADURTEX” kanë qenë duke punuar 6 minatorë. Në rrethana ende të panjohura është shembur masivi i kromit duke bllokuar hyrjen e galerisë. Pesë prej minatorëve kanë arritur të shpëtojnë, me dëmtime të lehta. Ndërsa kolegu i tyre ka mbetur i bllokuar. Në vendin e ngjarjes ka shkuar ekipi i Avari Shpëtimit të Minierave që po punon për largimin e masivit të gurëve në hyrje të galerisë.
Ende nuk dihet gjendja shëndetësore e Muharrem Plakut, i cili punon prej tetë vitesh në këtë subjekt minerar.
Subjekti minerar “KADURTEX sh.p.k.” ka administrator Kapllan Durici dhe bashkëpronarë vëllezërit e tij Myfit dhe Ilber Duriçi. Ndërsa policia bën të ditur se kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, por ende nuk ka asnjë person të ndaluar.
Fraksion.com