Alibeaj: Qeverisja që sundon shqiptarët, vula më e errët mbi demokracinë
Nënkryetari i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, deklaroi sot në seancën plenare në Kuvend se, qeverisja që sundon shqiptarët nga sot është vula më e erret mbi lirinë dhe demokracinë në këtë vend.
“Shteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e shitblerjes së votës Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Ky është epitafi i zi i masakrës elektorale të 25 prillit. Kjo është vula më e erret mbi lirinë dhe demokracinë në këtë vend. E tillë është dhe do të jetë qeverisja që sundon shqiptarët nga sot. Se sa do te vazhdoje kjo është në duart e shqiptareve”, tha Alibeaj.
“Ajo ç’ka sot na prezantohet me zymtësinë më perverse është paketimi i një bande nën formën e qeverisë. Nuk ka program, nuk ka ide, nuk ka përgjegjshmëri e nuk ka përgjegjësi, e aq me pak dhimbsuri dhe ndjesi njerëzore për gjendjen më kritike ku ndodhet shoqëria shqiptare sot. Të grumbulluar nga një dorë e zezë që veçse ka shkatërruar ekonominë, ka çuar në depresion familjen shqiptare, ka shpopulluar e zbrazur vendin, ka vjedhur, plaçkitur e grabitur paratë e shqiptarëve, po bëhen gati për gostinë e radhës mbi trupin e drobitur të Shqipërisë”, u shpreh ai.
“Kjo është pasqyra më e vërtetë e asaj ç’ka prodhoi 25 prilli. Kjo është shija e hidhur e epitafit të zi që ODHIR i vendosi zgjedhjeve të 25 prillit. Qëndron aty e është i pakapërcyeshëm nga përgjërimet e tua për paqe”, tha Alibeaj.
Fraksion.com