Putini kritikon praninë e trupave të huaja në Siri
Presidenti rus Vladimir Putin kritikoi praninë e trupave të huaja në Siri, duke thënë se ato janë atje kundër vullnetit të qeverisë siriane dhe po bllokojnë forcimin e vendit të shkatërruar nga lufta, thuhej në një njoftim të Kremlinit të martën.
Zoti Putin i referohej qindra trupave amerikane të dislokuara në Sirinë lindore, që bashkëpunojnë me luftëtarë të udhëhequr nga kurdët kundër grupit militant të Shtetit Islamik, si dhe forcave turke në veri të Sirisë. Duke folur gjatë një takimi të rrallë në Moskë të hënën në mbrëmje me homologun e tij sirian Bashar Assad, presidenti rus tha se prania e të huajve është e paligjshme, pasi ata nuk kanë leje për të qëndruar aty, si nga Kombet e Bashkuara ashtu edhe nga qeveria siriane.
Rusia iu bashkua konfliktit 10-vjeçar të Sirisë në shtator të 2015, kur ushtria siriane u duk se ishte pranë shkatërrimit dhe që nga ajo kohë ka ndihmuar Asadin të qëndrojë në pushtet. Forcat e këtij të fundit tashmë kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit. Qindra trupa ruse janë dislokuar në të gjithë Sirinë dhe Kremlini ka edhe një bazë ajrore ushtarake përgjatë bregdetit mesdhetar të Sirisë.
Bashar Asadi ka zhvilluar udhëtime të rralla jashtë vendit në dekadën e fundit, vetëm për të vizituar aleatët kryesorë, Rusinë dhe Iranin. Sipas mediave shtetërore në Damask, Assadi dhe Putini diskutuan mbi bashkëpunimin ushtarak dhe mënyrat për të vazhduar operacionet për të rimarrë zonat e fundit të kontrolluara nga rebelët në Siri.
Më vonë Presidenti Putin njoftoi se do të vetë-izolohej për shkak të rasteve me koronavirus të diagnostikuara brenda rrethit të tij të ngushtë. Assad dhe bashkëshortja e tij rezultuan pozitivë me koronavirus në muajin mars të këtij viti.
Ky ishte takimi i parë mes dy aleatëve që nga samiti i zhvilluar në kryeqytetin sirian në janar të vitit të kaluar. Putin-Assad janë takuar gjithashtu në vendpushimin e Detit të Zi, në Soçi në 2017 dhe në Moskë në 2015. Televizioni shtetëror sirian e cilësoi takimin e së hënës si “të gjatë” dhe tha se dy udhëheqësve iu bashkuan më vonë edhe ministri i jashtëm i Sirisë dhe ai mbrojtjes i Rusisë, për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe luftën ndaj terrorizmit.
Javët e fundit, aktivistët e opozitës siriane bënë të ditur se aeroplanë luftarakë rusë kanë kryer sulme në provincën veriperëndimore të Idlibit, bastioni i fundit i madh i rebelëve në vend. Rajoni ka rreth 4 milionë banorë, shumë prej tyre të zhvendosur nga konflikti, nga një rajon i vendit në tjetrin.
Javën e kaluar, hyri në fuqi një marrëveshje armëpushimi, e negociuar nga Rusia, duke i dhënë fund një ndalim-qarkullimi të vendosur nga qeveria dhe luftimeve intensive në qytetin jugor të vendit, Daraa. Marrëveshja bëri që zonat që mbaheshin nga rebelët në këtë qytet të kalonin nën kontrollin e qeverisë për herë të parë që nga viti 2013.
Fraksion.com