PD nuk do bojkotojë seancën; Zbardhet plani i demokratëve për nesër në Kuvend
Partia Demokratike ka mbledhur mbrëmjen e sotme Grupin Parlamentar. mësohet se mbledhja ka zgjatur përreth një orë dhe temë kryesore e diskutimit ka qenë seanca nesërme plenare, e cila pritet të miratojë qeverinë e re dhe programin qeverisës “Rama3”.
Në seancë plenare, e cila pritet të jetë maratonë, çdo deputetë do të ketë mundësi të flasë 10 minuta, ndërsa PD do ta përqendrojë diskutimin te tri çështje kryesore, si pandemia e Covid-19, tërmeti dhe kriminaliteti në vend, çështje këto, që siç thekson BalkanWeb PD pretendon se socialistët kanë dështuar.
Burime brenda selisë blu kanë bërë të ditur se nesër nuk do të ketë bojkot në Kuvend nga Partia Demokratike, e cila ka vendosur të qëndrojë në sallë gjatë gjithë seancës.
Seanca e nesërme do të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë e ndarë në tri faza, ku në fazën e parë do të bëhet prezantimi i programit qeverisës të qeverisë “Rama 3”, në fazën e dytë, e cila është parashikuar të nisë në orën 13:00, do të ketë pyetje nga deputetët dhe diskutime e debate, ndërsa faza e fundit, e parashikuar në orën 14:00, përfshin votimin e qeverisë dhe programit “Rama 3”.
Referuar burimeve nga PD, se në fazën e dytë, demokratët kanë vendosur të mos bëjnë pyetje lidhur me përbërjen e Këshillit të Ministrve dhe programin e Ramës përgjatë viteve 2021-2025.
Fraksion.com