AktualitetBota+Të fundit

11 persona të vrarë nga sulmi terrorist në kryeqytetin e Somalisë

Një shpërthim vetëvrasës me bombë ka vrarë të paktën 11 persona të martën në kryeqytetin e Somalisë, thanë dëshmitarët dhe zyrtarët.

Dëshmitarët thanë se një person hyri në një dyqan çaji dhe shpërtheu një jelek vetëvrasës.

Sulmi ndodhi pranë një pike kontrolli të drejtuar nga forcat e sigurisë së qeverisë somaleze në distriktin Wadajir, i cili ndodhet pranë aeroportit të Mogadishut dhe selisë së forcave të Unionit Afrikan të njohur si AMISOM.

Në radhët e të vdekurve ka ushtarë dhe civilë, sipas një zyrtari të qeverisë somaleze i cili kërkoi anonimitet pasi nuk i lejohet të flasë me mediat.

Grupi militant al-Shabab mori përgjegjësinë për sulmin.

Kryeministri i Somalisë, Mohamed Hussein Roble, dënoi “aktin barbar” të al-Shababit.

“Unë dënoj bombardimin e sotëm nga terroristët e al-Shababit në një dyqan çaji në rrethin Wadajir, i cili rezultoi në vdekjen dhe plagosjen e njerëzve të pafajshëm,” tha ai në një postim në Twitter. “Zoti i mëshiroftë të vdekurit dhe i shëroftë të plagosurit.”

Zoti Roble tha se sulmi tregon se pjesëtarët e al-Shababit janë “të etur për gjakderdhjen pa dallim të popullit somalez”.

Mijëra civilë somalezë janë vrarë në luftimet ku është përfshirë al-Shabab që nga viti 2006. Grupi po lufton për të përmbysur qeverinë e Somalisë të mbështetur ndërkombëtarisht.

 

Fraksion.com