AktualitetPolitikëTë fundit

Përçahet PD-ja për Berishën; Basha: Vendimin e mora për t’ju çliruar ju

Vendimi i Lulzim Bashës për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar demokrat përçau demokratët duke i ndarë në dy pjesë pro dhe kundër . Anëtarët e kryesisë së grupit parlamentar dhe me pas deputetët u thirrën në mënyrë të beftë në selinë e Partisë Demokratike nga ku ndoqën të habitur përmes rrjeteve sociale fjalimin e kryedemokratit.

Pasi i la te prisnin Lulzim Basha u sqaroi se vendimi për ish-liderin historik të demokratëve ishte personal i tij dhe se ky ishte një vendimmarje e detyruar.

“Mora këtë vendim për t’ju çliruar ju. Kostot e këtij vendimi të bien vetëm mbi mua. Qëndrimi i SHBA është i qartë. Ka nisur që me vizitën e Riker. Na është përcjellë vendimi i qartë i SHBA. Sot ishte afati i fundit, kur PD duhet të shprehej. Ky vendim ishte si në interesin e PD, dhe të Sali Berishës. Meqë ia premtova Sali Berishës, dua t’ju komunikoj se ky vendim nuk është i dakordësuar me të, pavarësisht” citohet tu ketë thënë Lulzim Basha demokratëve.

Bujar Leskaj, Albana Vokshi, Tritan Shehu, Luçiano Boçi, Oerd Bylykbashi ishin kundër përjashtimit të ish-liderit historik. Flamur Noka qëndrimin e tij e shprehi pro Sali Berishës.

Zërat pro kryedemokratit, si Agron Gjekmarkaj preferuan të mos flasin për mediat. Edhe Tomor Alizoti, Dashnor Sula, dhe Enkelejd Alibeaj mbështetën Lulzim Bashën. Sipas nënkryetarit të ri të PD sot nuk është funeral dhe se nesër do të ndriçojë dielli përsëri.

Pas debateve në mbledhjen e forumeve të PD nuk pati vendim ndërsa akoma më e paqartë mbeti sesi do sillen nesër në seancë plenare dhe si do ulen në Kuvendin e ri pas përjashtimit të Sali Berishës.

 

Fraksion.com