AktualitetOp-EdTë fundit

Ngjela: Piktura, muzika dhe letërsia moderne mposhtin talibanët dhe talebanizmin në Avganistan

Nga Spartak Ngjela

 

Çfarë është çështja Taleban, është një rast historik, është një fenomen, apo është një histori që përsëritet në mënyrë periodike që nga lindja e qytetërimit?

Historia përsërit vetveten.

Kjo tani nuk është më fare një mendim poetik, por thjesht një e vërtetë e aprovuar nga historia si rrjedhë ngjarjesh.

Pikërisht kjo e vertetë, e cila e ka mbushur historinë, nuk është më një fenomen i kontrolluar që në lindje të tij, por një fenomen që mposhtet me politikë të hollë.

Në fakt talebanizmi është patologji e ngritur në sistem, kundër qytetërimit perëndimor.

Ku kapet kjo më qartësisht si provë?

Prova më e qartë është qëndrimi ndaj femrës, vajzës dhe gruas.

Dhe kjo nuk është një ngjarje e re. E gjithë bota islame e Lindjes së Mesme, kush më shumë e kush më pak, e quan degjenerim qytetërimin perëndimor.

Kështu e quajti edhe stalinizmi; dhe po kështu e quajti edhe nazizmi, por këto dy lëvizje të antiqytetërimit perëndimor, nuk i lejoi arti, letërsia dhe teatri, që të kishin unitet të brendshëm; madje, duke e lënë Luftën e Dytë Botërore mënjanë: këto dy lëvizje të gjata të patologjisë njerëzore, i shkatërroi shpirti poetik me artin dhe letërsinë brenda në kështjellën e Moskës dhe të Berlinit.

Por, a do të mundet arti: piktura, muzika dhe letërsia moderne ta mposhtë nga brenda patologjinë kriminale të talebanizmit në Avganistan?

Kjo do të varet shumë nga veprimtaria artistike dhe intelektualisht e iluminuar e njerëzve të qytetëruar me Perëndimin, të cilët u larguan nga Kabuli përdrejt Evropës.

 

Fraksion.com