AktualitetPolitikëTë fundit

“Çdo ditë del nga një gjë e re”; Rama për CNN: Deri tani kanë mbërritur më pak se 1 mijë afganë, pengesa me…

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për CNN me gazetaren Isa Soares, deklaroi mbrëmjen e djeshme se deri tani kanë mbërritur në Shqipëri më pak se 1 mijë afganë, ndërsa foli për vështirësitë dhe pengesat që po dalin gjatë operacioneve të evakuimit.

Duke folur për pengesat që kanë dalë prej 1 jave me evakuimin e shtetasve nga Afganistani, Rama tha se “ne nisëm të bashkëpunonim me miqtë tanë që janë angazhuar në këtë operacion dhe çdo ditë del nga një gjë e re e cila thyen shpresat”.

“Nuk mund të them vërtetë më shumë rreth kësaj sepse askush nuk e kupton dot se ku është realisht problemi. Ndoshta është një lojë e talebanëve, ndoshta është mungesë bashkërendimi me autoritetet në SHBA, por nuk mund të spekuloj për këtë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kemi bërë për këta njerëz saktësisht të njëjtën gjë që kemi bërë për të tjerët që kanë mbërritur tashmë apo presim që të vijnë”.

“Me sa duket ky aeroport është mjaft problematik. Nuk mund të spekuloj se ku qëndron realisht problemi, por nuk do të habitesha që kjo të ishte një lojë e talebanëve të cilët çfarë thonë sot e ndryshojnë nesër. Lajmi i fundit që mora është se tashmë e kanë ndryshuar sërish fjalën, duke thënë se do të lejojnë vetëm njerëzit me pasaporta, por fëmijët nuk kanë pasaporta. Me sa duket historia do të hyjë në një fazë të re pengesash e ngecjesh”, tha Rama.

I pyetur nëse është pala shqiptare në negociata me talebanët, Rama tha se “jo, ne nuk kemi hyrë në asnjë lloj bisedimi me talebanët dhe shpresoj se nuk do të hyjmë në këto bisedime”.

“Ata që duhet të flasin me ta duhet të kenë kompetencën dhe trysninë për të folur me ta që unë mendoj se është SHBA. Ne do të jemi në kontakt me SHBA që janë të angazhuar me këtë nismë kaq njerëzore për të shpëtuar jetën e njerëzve të rrezikuar. Është e e sikletshme që qytetarët amerikanë nuk mund të dalin nga aeroporti, por nuk di më shumë se kaq. Nuk dua të spekuloj dhe kam prirjen të besoj se kjo është një lojë nga brenda Afganistanit dhe nuk ka të bëjë me asgjë tjetër”, tha Rama.

“Nuk është se jam i dëshpëruar por duke qenë i përfshirë personalisht me ekipin tim të ngushtë, me Ministren e Jashtme që po punon ditë e natë për të siguruar se këto operacione do të kryhen me sukses dhe me disa ministra të tjerë, në mënyrë të natyrshme jemi të përfshirë deri në pikën që na vjen realisht keq për këta njerëz. Duke dëgjuar historitë e atyre që kanë ardhur këtu dhe duke kuptuar atë që kanë kaluar, tingëllon shumë familjare sepse ne kishim ‘talebanët’ tanë marksistë-leninistë. Ata nuk hodhën në erë statujat e Budës, por mijëra kisha me dinamit, ndaluan Zotin. Është diçka që e njohim. Jemi të përfshirë sepse kjo është ajo çka jemi ne dhe çfarë kemi qenë 30 vite më parë. Ishim si ata, gjetëm dyer që na u hapën. Si mund ta mbyllim derës ne tani? Pse nuk jemi shumë të pasur, nuk do të thotë se kemi një kujtesë të shkurtër”, tha Rama.

Kryeministri ritheksoi se “ne kemi ofruar disponueshmërinë tonë për rreth 4 mijë afganë”.

“Kjo mund të ndryshojë por për mënyrën se si po shpalosen gjërat në thelb pas tërheqjes së plotë të misionit amerikan, operacionet janë bërë absolutisht të vështira. Njerëzit që kanë mbërritur ende nuk kanë shkuar në 1 mijë. Të tjerët po zvarriten në aeroport dhe në Kabul. Të gjitha organizatat e të drejtave të njeriut, organizatat bamirëse e humanitare janë të përfshira. Një angazhim shumë personal. Po përballen me vështirësi të tmerrshme për t’i nxjerrë njerëzit që andej. Është dëshpëruese se çdo jetë ka vlerë. Jetët nuk janë ndryshe me vlerë nëse je si bardhë apo i zi, shqiptar apo afgan, francez apo eskimez. Është jetë njerëzore”, tha Rama

 

Fraksion.com