Deklaratat e priftërinjve ortodoksë për Kosovën, intelektualët malazez kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe Zëvendëskryeministrit
Ngjarjet që pasuan inaugurimin e Metropolit të Kishës Ortodokse Serbe të Malit të Zi dhe thirrjeve të priftërinjve për kthimin e ushtarëve serbë në Kosovë kanë reaguar 107 intelektualë malazezë. Intelektualët malazezë i kanë dërguar letër të hapur kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviç dhe diplomatëve të BE dhe NATO, në të cilën kërkohet dorëheqja e kryeministri dhe zëvëndësit të tij.
Në letër thuhet se qeveria malazeze është shërbëtore e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Qeveria malazeze është shërbëtore e Aleksandër Vuçiç dhe Kishës Serbe, urdhrat e të cilëve i zbatoni pa diskutim. Sikur ndonjëri nga demonstruesit të rezistonte në mënyrë më aktive, është e qartë se forcat e tuaja të rregullta dhe ato kriminale ishin të gatshme edhe për likuidime! Nuk ka pasur shtypje të tillë në Mal Zi as gjatë viteve të errëta 90-ta në kohën e pushtetit të Millosheviç. Kryeministri Krivokapiç dhe zëvendëskryeministër Abazoviç, ju ftojmë të jepni dorëheqje të parevokueshme dhe pranoni përgjegjësinë për krimet e kryera”, thuhet mes tjerash në letrën e intelektualëve.
Ndërsa diplomatëve dhe shteteve të BE-së dhe NATO-së në Mal të Zi iu është thënë që të mos i mbyllin sytë dhe të mos heshtin ndaj presionit të cilin po e ushtron pushteti ndaj qytetarëve të tij.
“I ftojmë diplomatët e shteteve të BE dhe NATO në Malin e Zi, që mos të mbyllin sytë dhe me deklarata pa përmbajtje, të heshtin ndaj represionit të cilin po e ushtron pushteti ndaj qytetarëve të tij. Prandaj, ftojmë qeveritë dhe diplomatët e shteteve anëtare të BE dhe NATO, sikurse edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, që në mënyrë të vendosur t’i kundërvihen ringjalljes së projektit fashist të Botës serbe” thuhet në letrën e hapur.
Fraksion.com