Blinken: Talebanët duhet ta meritojnë legjitimitetin
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha të mërkurën se kabineti i qeverisë së përkohshme afgane nuk përfaqëson një qeverisje gjithëpërfshirëse siç kishin premtuar talebanët, duke shtuar se ky grup islamist duhet të punojë për të fituar legjitimitet në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.
Sekretari Blinken, gjatë vizitës në bazën ajrore amerikane Ramshtajn në Gjermani, e cila po shërben si pikë tranziti për të evakuuarit nga Afganistani, u bëri gjithashtu thirrje talebanëve të lejojnë largimin e avionëve me shtetas amerikanë dhe afganë të rrezikuar nga vendi.
Talebanët njoftuan të martën emrat për postet më të larta të qeverisë së përkohëshme. Një bashkëpunëtor i themeluesit të këtij grupi është emëruar kryeministër, ndërsa një individ i përfshirë në listën amerikane për terroristët është emëruar si ministër i brendshëm.
“Po analizojmë njoftimin, por megjithëse patën deklaruar se qeveria e re do të ishte gjithëpërfshirëse, lista e sapo-njoftuar ka në mënyrë ekskluzive individë që janë anëtarë të talebanëve, ose bashkëpunëtorë të tyre të ngushtë dhe nuk ka gra,” tha zoti Blinken në një konferencë për shtyp.
Uashingtoni është “i shqetësuar nga lidhjet dhe e kaluara e disa prej këtyre individëve,” tha më tej sekretari amerikan i shtetit.
Sekretari Blinken dhe homologu i tij gjerman, Heiko Maas zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp, pas një takimi me pjesëmarrjen e 22 ministrave të jashtëm si dhe zyrtarëve të NATO-s, BE-së dhe të OKB-së.
Sekretari i Shtetit, Blinken tha se të gjithë pjesëmarrësit në takim bashkohen në bindjen se talebanët duhen mbajtur përgjegjës para se të njihet legjitimiteti i qeverisë së re.
“Talebanët kërkojnë legjitimitet ndërkombëtar dhe mbështetje. Çdo legjitimitet, çdo mbështetje duhet merituar,” tha zoti Blinken.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se në Afganistan po afron situatë krize në shërbimet bazë, pasi po mbarojnë rezervat ushqimore dhe ndihmat e tjera.
Në këtë vend ende ka një numër të vogël amerikanësh, pjesëtarë të familjeve të tyre dhe afganë të rrezikuar që përpiqen të largohen por lëvizja e avionëve ka qenë shumë e kufizuar që kur amerikanët përmbyllën tërheqjen nga aeroporti në fund të gushtit.
Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë ç’është e mundur për të nxjerrë nga vendi personat e bllokuar, por talebanët nuk po lejojnë nisjen e avionëve.
“Ua kemi bërë të qartë të gjitha palëve, ua kemi bërë të qartë talebanëve se avionët duhet të lejohen të nisen,” tha zoti Blinken.
Fraksion.com