“Sfidat e mandatit të tretë”; Gjiknuri: PS me statut dhe riorganizim të ri, ja ku do bazohemi që të mbetemi lider
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri deklaroi sot se “puna ku duhet të bazohet PS dhe angazhimi i të gjitha organizatave socialiste do të jetë garanci e fortë që kjo parti të mbetet vazhdimisht partia lider në politikëbërjen e Shqipërisë”.
Pas mbledhjes së Sekretariatit të ri të PS, Gjiknuri tha në një prononcim për mediet se “do të ndërtohet një proces i vazhdueshëm duke filluar me analizat postzgjedhore dhe për të ristrukturuar partinë në mënyrë të tillë që të përballojë sfidat që pret PS në mandatin e tretë”.
“Mandati i tretë është gjithmonë i vështirë, qeverisja ka koston e saj dhe pikërisht puna ku duhet të bazohet PS dhe angazhimi i të gjitha organizatave socialiste do të jetë garanci e fortë që kjo parti të mbetet vazhdimisht partia lider në politikëbërjen e Shqipërisë. Qëllimi i afatit është përmbyllja e analizave të nisura nga Kongresi që u zhvilluar në qershor, njëkohësisht do t’i vlejë gjithë ekipit drejtues ekzekutiv të PS për të përgatitur projeksionin dhe organizimin e ri dhe mendoj që është një afat i mjaftueshëm dhe për të dalë me një platformë që do të doje vite për t’u implementuar”, sqaroi Gjiknuri.
“Partitë natyrshëm përballimin e tyre apo testimin e të gjithë aftësive e kanë kur vijnë zgjedhjet. Ne do të kemi brenda 2 vjetësh zgjedhjet vendore dhe pas 4 vitesh zgjedhjet e përgjithshme dhe unë mendoj që është koha e mjaftueshme për të testuar riorganizimin e ri të partisë”, nënvizoi ai.
Gjiknuri shtoi se “riorganizimi do të zgjasë deri në fund të vitit dhe fillimi i vitit do e gjejë PS edhe me një statut të ri dhe me një riorganizim të ri për t’ju përgjigjur sfidave që kërkon mandati i tretë, pasi mandati i tretë e ka thënë dhe kryeministri Rama, është një mandat i vështirë, njerëzit kanë pritshmëri, PS ka një eksperiencë të madhe por ka pasur edhe probleme që ne duhet të reflektojmë”.
I pyetur nëse ka pakënaqësi brenda strukturës drejtuese të PS-së, Gjiknuri tha se “nuk e di pakënaqësinë pasi nuk e kam dëgjuar të strukturuar. Natyrshëm që brenda një organizate ka edhe pritshmëri të ndryshme, mund të ketë ndonjë mosrealizim të ndonjë pritshmërie, por janë gjëra të një procesi që do të vazhdojë dhe do të fashiten rrugës. Jam i bindur që PS ka kaluar aq prova edhe më parë sa të mbajë të gjitha ekuilibrat e nevojshëm dhe të nxjerrë më të mirën e saj porsa i përket ekipit që ka. Z. Balla ka një detyrë shumë të rëndësishme që është drejtimi i Grupit Parlamentar të PS-së dhe mendoj që ndarja e dy funksioneve gjithmonë është bërë në funksion të riorganizimit më të mirë të partisë dhe nuk ka pasur qëllim të zvogëlojë dikë apo të rris dikë tjetër”.
Fraksion.com