AktualitetTë fundit

Forca Tokësore dekorohet me ‘Medaljen e Artë për Vlerësim Profesional’ dhe me ‘Medaljen e Mirënjohjes’ për kontributin e dhënë në menaxhimin e emergjencave në shuarjen e zjarreve

Pas një muaji sfidues të përballjes me zjarret që përfshinë vendin, më 03 shtator 2021 në Bazën Ajrore të Farkës u zhvillua ceremonia e vlerësimit të strukturave dhe individëve që u angazhuan në operacionet për shuarjen e zjarreve në vend. Pjesë e kësaj ceremonie ishte kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca, zëvendësambasadori i SHBA, si dhe zyrtarë të lartë të ftuar në vend.

Kjo ceremoni u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha strukturave që kontribuan për shuarjen e zjarreve në vend, Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile etj.

Forca Tokësore u dekorua me ‘Medaljen e Artë për Vlerësim Profesional’ nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, si dhe me ‘Medaljen e Mirënjohjes’ nga ministri i Mbrojtjes, për kontributin e dhënë në shuarjen e zjarreve.

Gjithashtu, u nderuan me medalje komandantët e dy strukturave vartëse të FT, nënkolonel Gëzim Marku, komandant i Batalionit III të Këmbësorisë dhe major Pëllumb Hidri zëvendëskomandant i Batalionit Komando.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama ndër të tjera theksoi: “Medalje e artë për Forcën Tokësore dhe dua t’u them të gjithë trupave, është mesazh për të gjithë trupave të Emergjencave Civile, se do të bëjmë të pamundur për për të rritur pagat, që nuk do të jetë asnjëherë e mjaftueshme, sidoqoftë është një motiv më shumë jo vetëm për të çuar në shtëpi të ardhura të merituara nga puna, por edhe për të ndjerë vlerësimin dhe respektin për vendin dhe atdheun”.

Në fjalën e tij ministri i Mbrojtjes kërkoi sa më shumë reflektim nga organet vendore në përballimin e kësaj situate. Ai u shpreh se duhet modernizim i legjislacionit, planifikim logjistik, ngritje të kapaciteteve të reja për përballimin e çdo emergjence.

Ceremonia u përfundua me vendosjen e medaljes së artë në Flamurin Luftarak të Forcës Tokësore.

 

Fraksion.com