AktualitetBota+Të fundit

Debat në Bundestag: Merkeli mbështet Laschetin dhe sulmon Scholzin

Kancelarja Merkel ka mbështetur edhe një herë fuqishëm CDU/CSU në atë që pritet të jetë seanca e fundit e Bundestagut para zgjedhjeve. Ajo gjithashtu kritikoi vërejtjet e kandidatit të kancelarit Scholz.  

Në seancën e fundit të parlamentit federal për zgjedhjeve, kancelarja Merkel e quajti luftën kundër ndryshimit të klimës si çështjen më urgjente të kohës sonë. Ajo tha se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm gjatë kësaj legjislature. Ndër të tjera, ajo iu referua Ligjit të Mbrojtjes së Klimës me buxhete vjetore dhe objektiva sektoriale. Në lidhje me pandeminë Korona, ajo ripërtëriti apelin e saj për popullatën që të vaksinohet. Në fund të deklaratës së saj, Merkeli bëri thirrje për zgjedhjen e kandidatit unionist për kancelar, Armin Laschet.

Kancelarja Angela Merkel i përshkroi zgjedhjet e ardhshme parlamentare si një vendim mbi drejtimin që do të marrë Gjermania dhe i dha mbështetje të fortë kandidatit të CDU/CSU për kancelar Laschet. Në të njëjtën kohë, në atë që pritet të jetë seanca e fundit e Bundestagut para zgjedhjeve më 26 shtator, ajo paralajmëroi kundër një aleance të SPD dhe të Gjelbërve me Partinë E Majta.

“Nuk është e parëndësishme se kush e qeveris këtë vend,” tha ajo. Këto janë zgjedhje të veçanta “sepse në kohët më të vështira është një vendim për dretimin që do të marrë vendi ynë”, theksoi Merkeli. Qytetarët kishin zgjedhjen midis dy opsioneve: një qeverie të SPD dhe Të Gjelbërve “që pranon mbështetjen e Partisë E Majta, të paktën nuk e përjashton atë” ose një qeveri të udhëhequr nga CDU dhe CSU me Laschetin në krye.

“Rruga më e mirë për vendin tonë është një qeveri federale e udhëhequr nga CDU/CSU me Armin Laschetin si kancelar,” tha Merkeli. Një qeveri e tillë, tha ajo, do të siguronte stabilitet, besueshmëri, moderim dhe rrugë të mesme. “Kjo është pikërisht ajo që i duhet Gjermanisë.”

Scholzi mbron fjalët që ka përdorur

Toni i Kancelares ishte i pazakontë, sepse në vitet e mëparshme, gjatë paraqitjeve në Bundestag Merkeli kishte theksuar gjithmonë gjuhën e përbashkët me partnerin e saj të koalicionit, SPD. Merkeli shprehu kritika të drejtpërdrejta edhe ndaj zëvendëskancelarit dhe kandidatit të SPD për kancelarin Olaf Scholz. “Sigurisht, askush prej nesh nuk ishte dhe nuk është kavie laboratori në asnjë formë,” tha ajo, duke iu referuar deklaratave përkatëse të Scholzit gjatë fushatës zgjedhore. Çdo person i vaksinuar kishte marrë një vaksinë të testuar mjaftueshëm. Politikanët duhet t’i bindin njerëzit të vaksinohen”dhe të mos debatojnë me imazhe të shtrembëruara të kavieve të laboratorit”.

Javën e kaluar, kandidati i SPD për kancelar, Olaf Scholz kishte thënë në një intervistë me një radio lokale në landin Rini Verior-Vestfalia: “50 milionë vetë janë vaksinuar tani dy herë. Ne të gjithë kemi qenë kavie laborotari për ata që kanë pritur deri tani. Prandaj unë, si njëri nga ata 50 milionë, them se shkoi mirë. Bëhuni edhe ju pjesë e vaksinimeve.”

Scholzi i mbrojti fjalët që kishte përdorur pas fjalimit të kancelares. Ai tha se populli duhej të bindet për vaksinimin – në një mënyrë të qetë, të shtensionuar e edhe me shaka, për të cilat qeshet në shumë aktivitete. “Nëse ca nuk duan të qeshin dhe të mërziten për këtë, mund të ketë të bëjë me faktin se ata kanë pak për të qeshur kur shikojnë shifrat e sondazheve të tyre,” tha ai.

Thirrje nga salla

Përveç kësaj, Scholzi përmendi tre përparësi për një qeveri federale nën udhëheqjen e tij: luftën kundër varfërisë së fëmijëve, strehim të përballueshëm dhe pensione të qëndrueshme. Për të, këto janë garanci për kohezionin e shoqërisë, tha Scholz-i.

Deklaratat e Merkelit çuan në thirrje të shumta nga salla e seancës plenare. Kryetarja e grupit parlamentar të AfD-së, Alice Weidel e akuzoi kancelaren Merkel se e kishte lënë Gjermaninë prapa si një rast për t’u rindërtuar. Vendi është gjithashtu i pasigurt dhe i ndarë, tha ajo.

Kryetari i liberalëve të FDP -së, Chrisitan Lindner tha duke iu drejtuar kandidatit për kancelar të SPD -së, Olaf Scholz, se nuk duhen fituar sondazhet, por zgjedhjet. Dhe as atëherë nuk është e sigurt që je në gjendje të drejtosh një qeveri. Ai akuzoi të Gjelbrit se donin ta bënin të gjithë Gjermaninë një lloj “Bullerby” (vend të idealizuar të lumturisë). Kreu i grupit parlamentar të partisë E Majta Bartsch bëri thirrje për ndihmë për qytetarët./DW

 

Fraksion.com