AktualitetTë fundit

“Vëlla e kaluar vëllait, por kur e arrestuan…”; Rrëfimi i djalit të Fadil Paçramit: Im atë flinte në një dhomë me Nexhmije Hoxhën! Ndanin bukën!

I përmbledhur në një dramë me katër akte, jetëshkrimi i Fadil Paçramit, ish-zyrtarit të lartë të dënuar për sabotim në kulturë, është sa i veçantë në llojin e vet, aq dhe përbashkues me fatin e dhjetëra liderëve komunistë që provuan njëherazi shkëlqimin në majën e Olimpit dhe ferrin e Dantes pas përplasjes me kreun e kupolës.

Për arsye moshe, Agim Paçrami, djali i vetëm i tij, nuk e ka njohur aktin e parë të dramës së jetëshkrimit të të atit, që i përkiste ëndrrës me idealin e lirisë, për të cilën Fadili nuk kurseu asgjë, duke kontribuar në ballin e luftës nga dita e parë deri në çlirimin e vendit.

Pak fare ruan në kujtesë (aq sa mund të kujtojë një fëmijë dhe adoleshent) pasazhet me vegimet e aktit të dytë, kur i ati shkëlqente në radhët e lidershipit komunist me funksione të larta në parti dhe në shtet.

Po mban mend mirë çdo detaj e “mizaskenë” nga akti i tretë që përmbledh rrëzimin nga maja e Olimpit në ferrin dantesk, siç e quante vetë protagonisti kalvarin e vuajtjeve në ferrin e burgjeve të regjimit. Sakaq, ruan të freskët rrjedhën e ngjarjeve të aktit të katërt, rikthimin e të atit në liri, “në rrafshin plotë trazira”. Pak a shumë në këtë linjë vërtitet rrëfimi i Agim Paçramit, djalit të ish-zyrtarit të lartë të regjimit që u dënua në vitin e largët ‘73 me 25 vite burg.

Në një intervistë për Gazetën “Panorama.al”, ai mundohet të fokusohet në ato episode që nuk janë konsumuar publikisht, duke qëndruar në përjetimet e tij dhe familjarëve të tjerë nga ky kapërcim i tmerrshëm që përshkroi dhunshëm jetën e babait dhe të tyre.

Po çfarë veçon djali i Fadil Paçramit nga jetëshkrimi i të atit dhe cili ka qenë amaneti që ka lënë ish-zyrtari i lartë i regjimit komunist i dënuar në të famshmin plenum të katërt për sabotim në kulturë. Jo rastësisht, fillin e bisedës e nis nga periudha e luftës dhe e ëndrrave për liri, ku Paçrami ka qenë në pjesën e elitës së rinisë antifashiste dhe një shok i afërt me Nexhmije Hoxhën…

Zoti Agim, ju jeni djali i vetëm i Fadil Pacramit, ishzyrtarit të lartë komunist, që u dënua për sabotim në kulturë. Fillimisht, diçka mbi origjinën e familjes suaj…

Babai ishte nga Shkodra, me origjinë të hershme nga fshati Paçram, ndërsa nëna, Violeta, nga Frashëri i Përmetit. Vërtet që jam djalë i vetëm i familjes Paçrami, por kam dhe dy motra më të mëdha nga unë, Zanën dhe Afërditën.

Babai dhe nëna janë lidhur gjatë luftës apo më vonë?

Gjatë luftës ata nuk njiheshin, sepse ishin në njësi të ndryshme. Fadili pranë shtabit të përgjithshëm dhe nëna në Brigadën 22. Lidhja e tyre ka ndodhur pas luftës, kur punonin në Ministrinë e Arsimit. Në atë kohë Fadili ishte zëvendësministër i Arsimit dhe Violeta daktilografiste. Aty u njohën, u celebruan dhe u martuan pa ceremoni…

Pra, dashuri në vendin e punës kur sa kishte mbaruar lufta…

Ata e kujtonin me një kënaqësi të veçantë lidhjen e tyre, sidomos momentin e propozimit nga Fadili. I qëllonte puna që ai për vetë specifikën e detyrës që kishte, e thërriste herë pas here Violetën në zyrë për të shtypur materialet. Ajo shkonte aty me të vetmen makinë shkrimi që kishte ministria dhe shtypte për orë të tëra dokumentet që i diktonte ai me zë. Në këtë ritual të zakonshëm, Fadili e telefonoi një ditë dhe e thirri në zyrë. Violeta, si nga hera, mori makinën e shkrimit dhe shkoi. Sa u shfaq aty, Fadili i tha se këtë herë nuk është nevoja për makinën e shkrimit. “Pse”, i kishte thënë Violeta me habi. “Jo,- i tha Fadili,- këtë radhë të kam thirrur për tjetër punë”, dhe aty për aty i propozoi për martesë. Nga ky moment ata nuk ishin më thjeshtë dy ish-partizanë e dy punonjës ministrie, por burrë e grua. Kjo ishte fejesa, kjo ishte dhe martesa e tyre. Se as Fadili dhe as Violeta, siç tregonin, nuk i kishin për zemër ceremonitë. Ndoshta, kjo edhe nga rrethanat e kohës. Sidoqoftë, ata deri në fundin e tyre mbetën një çift për t’i pasur zili…

Si u gjendën në radhët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare Fadili me Violetën?

Fadili fillimisht ishte ilegal në qytetin e Tiranës. Ka operuar në çdo qoshe e kthinë të kryeqytetit për javë e muaj të tërë. Një ditë e zbuluan dhe u detyrua t’u rreshtohej formacioneve partizane në mal. Gjatë tërë kohës ka kryer detyra që i përkisnin rinisë antifashiste pranë Shtabit të Përgjithshëm, duke përshkruar tërë rrugëkalimin luftarak të tij deri ditën e çlirimit. Ndërkohë, Violeta është bërë pjesë e lëvizjes kur ishte 16 vjeçe. Atëherë ishte nxënëse në Tiranë dhe iu bashkua thirrjeve të liderëve komunistë për të përqafuar qëndresën kundër okupatorit. Shkoi në brigadën e 22-të, që u themelua në Pezë dhe në radhët e saj luftoi që nga Tirana, Mirdita, Puka, Fushë Arrëzi e deri jashtë kufijve të Shqipërisë…

Ka pasur në Tiranë disa grupe ilegale që drejtoheshin nga liderët kryesorë komunistë, në cilin prej tyre bënte pjesë Fadili?

Nuk e kam parasysh tani si kanë qenë organizuar ato, por di, siç na ka thënë Fadili, se ai gjatë kësaj kohe ka pasur më të afërt Nexhmije Hoxhën, Nako Spiron dhe Alqi Kondin. Ka pasur edhe të tjerë, pa dyshim, por ai veçonte shoqërinë me ta…

Me Nexhmije Hoxhën…

Po, po, me Nexhmijen, madje, siç tregonte, ka ndarë me të dhe kafshatën e bukës. E ka dashur si motrën e vet. Kanë fjetur bashkë në një dhomë, kanë kryer detyra të ndryshme në krah të njëri-tjetrit. Pavarësisht si rrodhën gjërat më vonë, Fadili e vlerësonte shumë për këtë periudhë…

Në ditët më të vështira të jetës, thoni ju, Fadili ka pasur shoqe të ngushtë Nexhmije Hoxhën, ndërkohë që në kryqëzatën e viteve ‘70, nuk bëri as përpjekjen më të vogël për ta shpëtuar…

Nuk është puna se e them unë, por kështu është e vërteta..

A tentoi Fadili t’i kërkonte ndihmë Nexhmijes kur e kryqëzuan për sabotim dhe tradhti ndaj Partisë dhe atdheut?

Me sa më kujtohet, Fadili i ka shkruar vetëm një letër kur ishte në burgun e Burrelit dhe përgjigjja që i dërguan në emër të saj ishte vetëm një fjali: Do rrish mirë aty në birucat e Burrelit, apo të të çojmë nëntokë të nxjerrësh mineral? Vetëm kaq ishte mesazhi i asaj që në vitet e luftës e quante vëlla e kaluar vëllait..

Po në vitet e demokracisë, a pati rast të përballej me të?

Rrugët e tyre ishin ndarë herët, kështu që çdo kuriozitet për mënyrën si mund të reagonte Nexhmija për ato që kishte bërë kundër Fadilit, ishte diçka e kotë. Të paktën kështu e vlerësonte Fadili kur ia kujtonte dikush lidhjen e tyre të hershme. Ai e kishte bërë njëherë e mirë ndarjen me të, por dhe me tërë kastën politike, me të cilën kishte bashkëpunuar nga vitet e luftës e deri në vitin ‘73. Ai e quante një histori të përmbysur dhe kaq…

Ndërkaq, ka qenë shok i afërt i Nako Spiros…

Nako Spiro ka qenë nga miqtë e afërt të babait. Ai e veçonte për zgjuarsi, mprehtësi dhe sjellje të kulturuar. Pa dyshim që ishte dhe trim, që nuk e kishte shokun, thoshte Fadili. Me të ishte njohur në mesin e vitit 1942, kur Nako sa kishte marrë detyrën e Qemal Stafës. Dhe që nga dita e parë e deri sa Nako ishte gjallë, ata nuk u ndanë nga njëri tjetri…

Si e shpjegonte Fadili konfliktin e Nako Spiros me Enver Hoxhën?

Konflikti nisi pas luftës. Në thelb të tij, Fadili vlerësonte zhgënjimin e Nakos. Po, po, zhgënjimin e papritur nga sjellja e Enverit fill pas luftës. Nako Spiro, thoshte Fadili, ishte i zhgënjyeri tragjik nga ajo që u nisëm kur e filluam luftën dhe ajo që po ndodhte kur u çlirua vendi. Nako e ndjeu ndër të parët, e ndjeu thellë, fort dhe me shqetësim. Gjithçka që ndodhi më vonë me fatin e Nakos, Fadili e lidhte pikërisht me mënyrën e reagimit të tij ndaj Enverit…

Me këtë e lidhte Fadili aktin e vetëvrasjes së Nako Spiros?

Nako, sipas Fadilit, e kuptoi nga të parët mënyrën tinëzare si drejtonte Enveri dhe iu kundërvu pa asnjë rezervë, duke kaluar madje në revoltë, si rrallëkush nga kolegët e tij. Enver Hoxha, kuptohet, nuk mund ta duronte gjatë dhe si mjeshtër i intrigës që ishte gjeti rastin dhe i dha goditjen vrastare. Ishin zhvillimet misterioze të vitit 47 ku miqësia me Titon e Jugosllavisë, do sillte viktimat e para në krye të lidershipit komunist të pasluftës…

Që do të thotë se e vrau pas shpine…

Pavarësisht nga sa janë thënë, Fadili e përjashtonte kategorikisht variantin e vrasjes. Ai kishte bindjen se Nako, i kryqëzuar nga Enveri dhe besnikët e tij, një moment e pa situatën pa rrugëdalje dhe u detyrua të vetësakrifikohej. Për të ishte një vet sakrifikim i pastër, por me shtysën e Enverit. Hakmarrës siç qe, bënte ç’bënte, i kthehej e rikthehej të plotësonte akuzat, të zhdukte dhe çdo gjurmë, për ta lënë sa më bindëse pseudohistorinë e tradhtisë. Nako kështu mbetet ndër viktimat e parë të lidershipit komunist për t’i lënë vendin pastaj një aradhe të tërë funksionarësh të lartë që kishin bërë jo vetëm luftën, por edhe kishin kontribuar jo pak për rindërtimin e vendit pas luftës…

Si e kujtonte Fadili ceremoninë mortore të Nako Spiros?

Kjo ishte një histori që e brente nga brenda dhe të them të drejtën nuk kishte shumë dëshirë ta kujtonte. Ka fol për këtë pa u futur në burg, kuptohet në rrethe konfidenciale, por më shkoqur kur doli që andej. Ka pasur dy pamje përcjellja e Nako Spiros, thoshte Fadili. Ceremoninë zyrtare me protokoll e presidium ku ishte e pranishme tërë udhëheqja dhe varrimin, ku përveç familjarëve nuk kishte njeri tjetër. Çuditërisht, sipas tij, sa mbaroi fjala e rastin me nekrologjinë zyrtare, të gjithë u zhdukën një nga një, aq sa kjo i kishte rënë në sy dhe të atit të Nakos…

Ia ka shprehur Fadilit babai i Nakos këtë rezervë për largimin e udhëheqjes nga varrimi i Nakos?

Ai ka qenë mik i familjes së Nakos dhe aty shkonte pa trokitur. Shkoi të nesërmen e mortit në Durrës. U takua me prindërit e Nakos. I ngushëlloi dhe një herë dhe një moment kur ishin vetëm i ati e pyeti pse kishte ndodhur kjo. Ishte munduar ta justifikonte Fadili, po prapë babai i Nakos nuk e kishte kapërdirë. Nga ai takim me babain e Nakos ruante shumë kujtime të dhimbshme Fadili. Folëm, thoshte, edhe për fjalët që qarkullonin lart e poshtë se Nakon e kishin vrarë pas shpinës. I ati, kujtonte Fadili, kishte bindjen se Nako ishte me sedër të fortë dhe nuk mund të duronte padrejtësitë, prandaj nuk dyshonte për aktin e vetëvrasjes…/panorama

 

Fraksion.com