AktualitetBota+Të fundit

Vdiq papritur ambasadori gjerman në Kinë Jan Hecker

Vetëm një javë pas fillimit të punës në Pekin ndërroi jetë ambasadori gjerman Jan Hecker. Ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i kancelares Merkel. Shkaqet e vdekjes 54-vjeçarit ende nuk dihen.

Ambasadori gjerman në Kinë, Jan Hecker, ka vdekur, njoftoi ministria e Jashtme në Berlin. 54-vjeçari kishte marrë postin e ambasadorit në Kinë muajin e kaluar. Ende nuk dihen rrethanat e vdekjes së tij. Pasi mbërriti në Pekin në gusht, Hecker dhe familja e tij fillimisht kaluan nëpër karantinë që është e zakonshme në Kinë, për shkak të pandemisë Corona.

Prej vitit 2017 këshilltar i kancelares Merkel

“Ne jemi të trishtuar dhe shqetësuar thellë me lajmin për vdekjen e papritur të ambasadorit gjerman në Kinë, Prof. Dr. Jan Hecker,” thuhet në mesazhin e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë. “Në këtë moment, mendimet tona janë me familjen e tij dhe njerëzit që ishin pranë tij”. Hecker ka lindur në Kiel, ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë.

Kancelarja Angela Merkel shprehu shqetësimin e saj të thellë. “Unë jam e mërzitur për humbjen e një këshilltari shumë të vlerësuar afatgjatë, një njeriu me një shkallë shumë të lartë të humanizmit, një eksperti të jashtëzakonshëm”, tha ajo në një deklaratë të shpërndarë në Berlin. Para se të merrte postin e rëndësishëm në Pekin, Hecker ka qenë drejtues i sektorit të politikës së jashtme, sigurisë dhe zhvillimit në zyrën e kancelares, prej vitit 2017. Si këshilltar i politikës së jashtme, ai ishte një njeri shumë i besuar dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kancelares Merkel.

Shok edhe në Pekin

Ministria e Jashtme e Kinës gjithashtu ka shprehur ngushëllimet e saj pas vdekjes së papritur të ambasadorit të ri gjerman në Kinë. “Ne jemi të tronditur me lajmin për vdekjen e papritur të ambasadorit Jan Hecker,” tha zëdhënësi Wang Wenbin para gazetarëve. Që kur mori detyrën në fund të gushtit, ai ka punuar në mënyrë aktive për të promovuar marrëdhëniet midis dy vendeve.

Avokati dhe shkencëtari politik ka punuar si gjyqtar në Gjykatën Administrative Federale prej vitit 2011 deri në vitin 2015. Ndërsa më parë ka punuar në Ministrinë e Brendshme nga 1999 deri në vitin 2011. Zëvendësi i tij, i dërguari Frank Rückert, tani do të marrë përkohësisht detyrat e ambasadorit në Pekin./DW

 

Fraksion.com