Sekretari Blinken i shpreh mirënjohje Kosovës për strehimin e qytetarëve afganë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, falenderoi të hënën Kosovën për strehimin e përkohshëm qytetarëve afganë të cilët kishin punuar me trupat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Zëdhënësi i departamentit të shtetit, Ned Price tha se sekretari Blinken bisedoi sot me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të falënderuar Kosovën për marrëveshjen, siç u tha, bujare për të strehuar përkohësisht individë të rrezikuar nga Afganistani.
“Mbështetja e palëkundur humanitare e Kosovës gjatë këtij tranzicioni është një dëshmi e gatishmërisë dhe kapacitetit të saj për të kontribuar për paqen dhe sigurinë globale. Sekretari Blinken dhe kryeministri Kurti vunë në dukje partneritetin e gjatë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe përsëritën angazhimin e tyre për t’u bashkërenduar ngushtë rreth përparësive të përbashkëta”, thuhet në deklaratë.
Ndërsa kryeministri Kurti tha në një postim ne Twitter se sekretari Blinken shprehu vlerësimin e presidentit amerikan për mbështetjen dhe bashkëpunimin e Kosovës.
“Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre. Aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, shkroi kryeministri Kurti.
Të premten nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, bisedoi në telefon me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të shprehur siç u tha mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për ndihmën e Kosovën në evakuimin e qytetarëve afganë.
Deri tani në Kosovë janë strehuar rreth 700 qytetarë afganë.
Më herët gjatë ditës, sekretari Blinken falënderoi të gjitha vendet përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, që ndihmuan në evakuimin e rreth 124 mijë personave nga Afganistani.
Fraksion.com