PD, program të detajuar për të rritur mirëqenien dhe luftuar korrupsionin
Greta Bardeli Gjoni, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun dhe deputete e zgjedhur e PD përmes një deklarate bën të ditur se, “çmimet e ushqimeve të shportës për çdo familje shqiptare kanë ardhur në rritje”.
Sipas saj, duke filluar nga buka, qumështi e zarzavatet, çmimet po bëhen përditë e më të papërballueshme për familjet e thjeshta shqiptare.
“Pa rritjen e pagave, pa përdorimin e subvencioneve te duhura në bujqësi, pa uljen e çmimit të karburantit për transportin, tendenca drejt varfërisë së familjeve në vend po merr vrull dramatik! Nga ana tjetër, qeveria ndan tortën e buxhetit të shtetit me oligarkët. Paratë publike përpihen frikshëm nga zyrtarë të lidhur me grupet e kriminalizuara. PPP-të, tenderat publikë apo sekretë, janë rruga më e shpejtë e pasurimit të njëmijë njerëzve me firmë e vulë në xhepat e tyre”, shprehet ajo.
Bardeli Gjoni thekson se, “paçka se vendi ynë gëzon burime natyrore, falë të cilave shqiptarët duhet të kishin pasurinë për frymë më të lartë se vendet e rajonit, familjet shqiptare kanë të ardhurat më të ulëta se çdo vend tjetër në rajon”.
Ajo nënvizon se, “kjo ndodh sepse shqiptarët janë të grabitur nga një pushtet që punon kundër interesave të shumicës dërrmuese në Shqipëri. Ndodh sepse bashkë me votën, shqiptarëve u është marrë perspektiva për një qeverisje më të mirë, që garanton mirëqenie për të gjithë”.
“Partia Demokratike ka një vizion të qartë dhe një program të detajuar për të rritur mirëqenien dhe për të luftuar korrupsionin që gërryen çdo ditë sigurinë ekonomike të familjeve në nivel kombëtar. Planet tona patën mbështetjen e qytetarëve, ndaj ne do të luftojmë me ta dhe për ta, për t’i zbatuar ato dhe për të garantuar një jetë më të mirë dhe zhvillim te qëndrueshëm ekonomik dhe social”, përfundon ajo.
Fraksion.com