AktualitetTë fundit

Arrestohet punonjësi i Gardës, transportonte emigrantë të paligjshëm

Policia e Korçës në bashkëpunim me SHÇBA, kanë arrestuar 2 shtetas, njëri prej të cilëve me detyrë punonjës i Gardës së Republikës, pasi u kapën duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm.

Shërbimet e Policisë, kanë konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Prrenjas, në dalje të qytetit të Pogradecit, mjetin tip “Chevrolet”, me drejtues shtetasin D. K. punonjës i Gardës dhe pasagjer shtetasin A. M., me të cilin këta shtetas po transportonin 5 emigrantë të paligjshëm, që kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Po ashtu është shpallur në kërkim edhe 1 shtetas tjetër, i cili transportonte 40 emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar.

Njoftimi

Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve D. K., 50 vjeç, banues në Tiranë (me detyrë punonjës i Gardës së Republikës) dhe A. M., 59 vjeç, banues në Durrës.

Shërbimet e Policisë, kanë konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Prrenjas, në dalje të qytetit të Pogradecit, mjetin tip “Chevrolet”, me drejtues shtetasin D. K. dhe pasagjer shtetasin A. M., me të cilin këta shtetas po transportonin 5 emigrantë të paligjshëm, që kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin Korçë-Ersekë, u konstatua mjeti tip furgon i markës “Iveco”, drejtuesit së të cilit, punonjësit e policisë i bënë me shenjë të ndalonte, por ai nuk iu bind urdhrit të tyre duke u larguar me shpejtësi e braktisur mjetin në afërsi të fshatit Drenovë, Korçë. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, u konstatuan 40 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, bënë shpalljen në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit A. C., 35 vjeç, si autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec dhe Korçë për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com