AktualitetTë fundit

Pranga 40 vjeçarit; Kapet me 68 refugjatë në kamion me 150 euro “bileta”

Kapet dhe arrestohet sot një 40-vjeçar, që po transportonte 68 emigrantë të paligjshëm në Pogradec.

Sipas policisë, shtetasi me iniciale E.K. kishte kërkuar 150 euro për çdo emigrant të paligjshëm, me premtimin për t’i çuar drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Kur është identifikuar nga policia, është përpjekur t’i korruptojë me 1000 lekë.
Ndaj tij, rëndon akuza e “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 40 vjeç, banues në Gjirokastër.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Piskupat, Pogradec, shtetasin e mësipërm duke transportuar me mjetin tip kamion të markës “Benz”, 68 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 150 euro secilit iu ishte premtuar kalimi i tyre drejt vendeve të BE-së.

Në momentin e ndalimit, drejtuesi i mjetit E. K., ka tentuar të korruptojë me një kartëmonedhë 1000 lekë, punonjësit e policisë me qëllim shmangien e kontrollit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

 

Fraksion.com