AktualitetTë fundit

Thethi mbushet me vizitorë në fillim të vjeshtës

Turistë të shumtë kanë zgjedhur Thethin në fillim të vjeshtës për të shijuar një nga spektaklet më të mahnitshme të natyrës në këtë zonë ku gjethet e pemëve përflaken nga ngjyrat marramendëse të vjeshtës.

Lajmi bëhet i ditur nga Administrata e Zonave te Mbrojtura, Shkodër e cila poston foto të vizitorëve që tashmë kanë zgjedhur që pushimet në vjeshtë t’i bëjnë në Theth

“Vjeshta ka mbërritur në Qendrën e Vizitorëve Theth Nëse vera kaloi pa vizituar Parkun Kombëtar të Thethit, nuk duhet kurrsesi që t’ia mohoni vetes mundësinë për të shijuar magjinë që ofron vjeshta në Theth. Do t’ju shoqërojnë pamje mahnitëse, deri në kufijtë e përrallores e më pas vakte të shijshme me të gjitha të mirat që vjeshta bujare ofron”, njofton Administrata e Zonave te Mbrojtura, Shkodër.

Alpet shqiptare ofrojnë pamje të mahnitshme për syrin e vizitorëve.

Rrugëtimi më komod është aksi Shkodër- Malësi e Madhe-Bogë-Qafë-Thore-Theth, ku aia vlen të kalohet për pamjet e mahnitshme që të ndesh syri. Nga Shkodra do të kaloni në territorin e bashkisë Malësi e Madhe, do të vizitoni fshatin piktoresk të Bogës.

Thethi është magji turistike sepse është tabloja më e bukur natyrore, ku vijat e telajos ngjiten dhe zbresin duke krijuar thyerjet më fantastike të peizazhit e pastaj zbresin si në një kupë në rrafshnajën e Thethit duke krijuar një shtrojë të gjelbër ku janë ngulur kullat shekullore, ashtu të ngurta prej guri që hahen me malet.

Thethi është një fshat në njësinë administrative Shalë në qarkun e Shkodrës dhe është qendra e Parkut Kombëtar të Thethit.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar në të gjitha stinët, por në vjeshtë është i rrallë.

 

Fraksion.com