AktualitetTë fundit

Vijojnë punimet te “Piramida”; Qendra më e madhe në rajon e inovacionit e teknologjisë dixhitale

Dikur simbol i shtypjes dhe shtëpia e diktatorit, sot “Piramida” e Tiranës po transformohet në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit, që do të mirëpresë mijëra të rinj për të mësuar gjuhën e kodimit, robotikë, design dhe programim, me mbështetjen e “Fondit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan” – AADF.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky kantier i cili po transformon “Piramidën” në qendrën e inovacionit të teknologjisë dixhitale, më e madhja në rajon, si dhe opinione të nxënësve që do të mësojnë aty.
“Mirëmëngjes dhe me vullnetin që planet e këtyre të rinjve plot pasion për teknologjinë, t’i bëjmë një realitet të ri shqiptar, ku Piramida si qendra e inovacionit e teknologjisë digjitale më e madhja në rajon, të jetë një pasqyrë kuptimplotë e këtij transformimi, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Për nxënësit, të cilët zgjodhën të shkojnë nga afër punimet në këtë kantier, tashmë “Piramida” duket më e bukur dhe më funksionale se më parë.
Projekti arkitektonik i studios së famshme holandeze MVRDV parashikon një godinë transparente dhe plot dritë.
Gjithashtu, projekti synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa të jetë e arritshme nga të gjitha anët.
Piramida do të shërbejë si një lloj inkubatori për bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kreativitetit. Programet që do të ofrohen janë: animacion, zhvillimi i lojërave, kinematografia, web design, muzikë, shkrim, vizatim, dizajn grafik, modelimi 3D, programim, robotikë, grafika e lëvizjes, fotografi dhe media e re.

Fraksion.com