AktualitetPolitikëTë fundit

Në orën 10:00, Rama pritet të zbulojë emrat e qeverisë së re në Asamblenë Kombëtare të PS

Socialistët mbledhin sot Asamblenë në orën 10.00 në Pallatin e Kongreseve. Kjo mbledhje merr një rëndësi të veçantë pasi kreu i saj Rama, pritet të zbulojë emrat e kabinetit të ri qeveritar.

Sipas burimeve disa emra nga ministrat nuk do të lëvizin. Njëri prej të cilëve është emri i ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, si ministrja që pëlqehet nga të gjithë. Pandemia e vuri në provë dhe ajo ia doli me sukses. Të paktën deri tani, kur jemi në pritje të një vale tjetër infektimesh dhe nuk mund të ketë ndërrime në ministrinë që ajo drejton.

Ndërkohë mësohet se edhe disa zonja të tjera nuk do të lëvizin, por do të ndryshojë strukturimi i ministrisë që ato drejtojnë. Belinda Balluku, Anila Denaj, Olta Xhaçka, por ndoshta edhe Evis Kushi janë emra që do të mbeten në qeverinë Rama3. Zv. kryetar i kabinetit është Arben Ahmetaj, i cili do të zërë vendin pas largimit të Erion Braçes, ndoshta mund të ketë surpriza të tjera për të ndarë me publikun. Emra të rinj në kabinet janë Bora Muzhaqi, që do të jetë ministre, jo më zv. ministre dhe Adea Meidani, vajza e ish- Presidentit Meidani. Ndërsa Lindita Nikolla do të drejtojë Kuvendin, në vend të Gramoz Ruçit.

Rendi i ditës:

Mbështetur në Statutin e Partisë dhe në Rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Neni 4, Sekretari i Përgjithshëm thërret Mbledhjen e Asamblesë Kombëtare me këtë rend dite:

I. Hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës.

II. Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi RAMA.

III. Zgjedhja e Kryesisë së re, drejtuesve politikë të qarqeve dhe sekretariatit ekzekutiv të partisë.

 

Fraksion.com