AktualitetBota+Të fundit

Biden: Ligji i Teksasit kundër abortit shkel të drejtën kushtetuese të gruas

Presidenti Biden kritikoi ashpër të mërkurën një ligj të Teksasit që ndalon shumicën e aborteve në këtë shtet, disa orë pasi Gjykata e Lartë nuk pranoi të marrë në shqyrtim këtë temë pas një kërkese urgjente nga grupet e të drejtave të abortit për të bllokuar hyrjen në fuqi të ligjit.

Përmes një deklarate, zoti Biden, mbështetës i së drejtës së abortit, siç janë shumë demokratë amerikanë, tha se ligji në shtetin jugor të Teksasit “shkel në mënyrë të hapur të drejtën kushtetuese të vendosur” sipas vendimit historik gjyqësorr të vitit 1973 në çështjen Roe v. Wade, ku thuhej se gratë kanë të drejtën kushtetuese për të ndalur shtatëzaninë në gjashtë muajt e parë kur fetusi nuk është në gjendje të mbijetojë jashtë mitrës.

Teksasi është një ndër mbi dhjetë shtete, kryesisht të udhëhequra nga republikanët që kanë miratuar ndalimet e abortit “pas momentit që dëgjohet rrahja e zemrës”, që shpesh ndodh në gjashtë javët e para të shtatzanisë dhe nganjëherë para se gruaja ta kuptojë se është shtatzënë.

Gjykatat në të kaluarën kanë bllokuar ligje të tilla me kufizime kaq të rrepta ndaj abortit.

Ligji kundër abortit në Teksas është i pazakontë pasi u jep qytetarëve të thjeshtë fuqinë për ta marrë situatën në dorë, duke i lejuar ata të ngrenë padi kundër klinikës apo mjekut që kryen abortin dhe kujdo që “ndihmon ose përkrah” një abort pas gjashtë javësh. Ata që fitojnë padi të tilla do të marrin nga humbësi deri në 10,000 dollarë.

Presidenti Biden tha se administrata e tij është “thellësisht e angazhuar” për të mbrojtur të drejtën e abortit të vendosur sipas vendimit të vitit 1973.

Mbështetësit e ligjit në Teksas përshëndetën pasivitetin e Gjykatës së Lartë.

FILE - People hold signs at an anti-abortion rally at the Arkansas state Capitol.
FILE – People hold signs at an anti-abortion rally at the Arkansas state Capitol.

Klinikat që ofrojnë aborte në Teksas, përfshirë rrjetin e fuqishëm të klinikave “Planned Parenthood” si dhe “Whole Women’s Health” thanë se nuk do t’u ofrojnë më aborte grave që u kanë kaluar gjashtë javë që nga cikli i fundit i mestruacioneve.

E drejta e abortit është një nga temat që zgjon debatet më të forta në opinionin publik amerikan.

Megjithëse në shkallë kombëtare anketat tregojnë se shumica e amerikanëve duan të ruajnë të drejtat që fituan gratë përmes vendimit gjyqësor Roe v Wade, në shtete të kontrolluara nga republikanët janë miratuar një numër ligjesh që kufizojnë qasjen tek kjo e drejtë. Disa ligjvënës i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë që të dalin me një vendim që ndalon plotësisht abortet.

Gjykata e Lartë e kontrolluar nga konservatorët 6-3, ka ende kohë ta bllokojë ligjin e Teksasit. Gjykata ka pranuar të dëgjojë argumente në sesionin e ri që fillon në tetor lidhur me një ligj në Misisipi që ndalon pjesën më të madhe të aborteve pas javës së 15-të të shtatzanisë, pra shumë javë para se fetusi të jetë në gjendje të mbijetojë jashtë mitrës së nënës, siç e specifikonte vendimi i vitit 1973./VOA

 

Fraksion.com