3 të rinj në pranga: Shpërndanin doza kanabis te Pazari i Ri dhe Medreseja
Tre të rinj janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia e Tiranës pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin shpërndanin kanabis me doza në disa zona të ndryshme në kryeqytet.
Në pranga janë vënë E. Gj., 17 vjeç, D. S., 17 vjeç dhe E. H., 21 vjeç ndërsa po punohet për kapjen e S. Gj., 21 vjeç dhe L. K., 20 vjeç.
Policia njofton se shtetasit S. Gj. dhe L. K., të dyshuar si organizatorët e kësaj veprimtarie të kundërligjshme, siguronin lëndën narkotike kanabis në sasi 5-10 kg, të cilën e ndanin në doza dhe më pas ua jepnin shtetasve D. S. dhe E. Gj., të cilët ishin të punësuar për shitjen e lëndës narkotike në përdorues të ndryshëm në zonën e Pazarit të Ri, Medresesë dhe në rrugën “Frataj”.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes së narkotikëve, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E. Gj., 17 vjeç, D. S., 17 vjeç dhe E. H., 21 vjeç.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit S. Gj., 21 vjeç dhe L. K., 20 vjeç.
Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ishin siguruar informacione në rrugë operative se shtetasit S. Gj. dhe L. K., të dyshuar si organizatorët e kësaj veprimtarie të kundërligjshme, siguronin lëndën narkotike kanabis në sasi 5-10 kg, të cilën e ndanin në doza dhe më pas ua jepnin shtetasve D. S. dhe E. Gj., të cilët ishin të punësuar për shitjen e lëndës narkotike në përdorues të ndryshëm në zonën e Pazarit të Ri, Medresesë dhe në rrugën “Frataj”.
Në bazë të këtyre informacioneve është organizuar puna dhe në rrugën “Frataj” është kapur në kushtet e flagrancës shtetasi D. S., duke shitur lëndë narkotike kanabis në doza, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës, së bashku me një shumë parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim S. Gj., u kap në kushtet e flagrancës shtetasi E. H, duke tentuar të heqë nga banesa, sendet e kundërligjshme që gjendeshin aty, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Shtetasi E. H., në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com