“Rama 3”; Kush ikën dhe kush vjen në Qeveri
Ethet e ministrave të kabinetit qeveritar “Rama 2” që shpresojnë të rikonfirmohen dhe kandidatëve për tu ulur në qeverinë Rama 3 do të vijojnë deri në orën 10 të së enjtes 2 shtator.
Përbërjen e skuadrës së tretë qeverisëse Edi Rama po e ruan me fanatizëm deri në mbledhjen Asamblesë Kombëtare këtë të Enjte.
Në një kohë kur ka konfirmuar Elisa Spiropalin si ministre për marrëdhëniet me parlamentin dhe Taulant Ballën në krye të grupit parlamentar socialist, në selinë rozë nuk mungojnë hamendësitë për emrat e ministrave të rinj.
Për momentin thonë burime nga PS, Belinda Balluku Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë është në pol position të rikonfirmit, por mund t’i hiqet Energjia, duke u bashkuar me Mjedisin duke krijuar një ministri që mund t’i besohet Benet Becit.
Ftesa për vijuar drejtimin e Shëndetësisë ka mbërritur tek Ogerta Manastirliu. Edhe ministria e saj do të ristrukturohet duke i hequr Mbrojtjen Sociale, e cila bashkohet me Sportin dhe Rininë, nga ku drejtimi mund t’i besohet Bora Muzhaqit, aktualisht zëvendësministre Arsimi.
Edhe Olta Xhaçka shihet si një kandidaturë për të vazhduar drejtimin e diplomacisë shqiptare pasi më herët ishte ministre e Mbrojtjes.
Parashikohet edhe ndarja e Ministrisë së Financave nga Ekonomia ku në njërën prej dy këtyre ministrive do t’i besohet Arben Ahmetajt, porse nuk dihet nëse Anila Denaj do ta ketë sërish ministrinë që drejton.
Ministria e Brendshme ku asnjë ministër nuk e ka përfunduar mandatin deri në fund mbetet e paqartë nëse do të drejtohet ende nga Bledi Çuçi, emri të cilit po qarkullon edhe si pasardhës i Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit.
Edi Rama mund të surprizojë me këtë ministri, duke ia besuar për herë të parë një gruaje dhe ajo mund të jetë Olta Xhaçka.
Sikurse me të gjitha gjasat nuk do të mungojë edhe një ministre grua nga Kosova. Emri më i mundshëm është ai i Vlora Çitakut, të cilës Rama spekulohet se mund t’i besojë ministrinë e Diasporës, në vend të Pandeli Majkos.
Arsimi, Ministria e Drejtësisë, Mbrojtja, Kultura, Turizmi dhe Sipërmarrja sipas spekulimeve në PS, pritet të drejtohen nga ministra të rinj.
Edi Ramës do t’i duhet të zgjedhë një numër 2 të ri në Qeveri, pas sinjaleve jokonfirmuese për vetën, lëshuar nga zëvendëskryeministri në detyrë, Erion Braçe.
Gara se kush do ta drejtojë Parlamentin është më e forta dhe sfiduesja brenda PS, pasi Edi Rama preferon një grua nga ku më e kuotuara për këtë post është ish ministria e arsimit, Lindita Nikolla.
Fraksion.com