Mikpritja e afganëve; Rama për BBC: Ka një kohë të japësh dhe ka një kohë kur merr
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qytetarët nga Afganistani që kanë mbërritur në vendin tonë parashikohet të qëndrojnë përkohësisht në Shqipëri, por nëse ata duan të vendosen janë të mirëpritur.
Në një intervistë për gazetarin e BBC World News, Ben Boulos, Kryeministri Rama u shpreh se vetëm 30 vite më parë ishim ne “afganët” që përpiqeshim t’i largoheshim ferrit për të mbërritur në Evropë.
“Ne jemi ftuar që t’i mirëpresim përkohësisht, ndoshta do të jenë në gjendje më pas që të shkojnë në SHBA, por e dimë se situata është e ndërlikuar dhe procedurat marrin kohën e tyre. Ndërkohë, jemi të gatshëm t’i mirëpresim të qëndrojnë më shumë dhe nëse duan të vendosen në Shqipëri mund ta bëjnë këtë. Për shumë prej tyre është një situatë dëshpëruese. Janë larguar nga shtëpia, duke marrë vetëm pak gjëra me vete. Ne kemi qenë në këtë situatë. 30 vite më parë ishim ne ‘afganët’ që përpiqeshim t’i largoheshim ferrit për të mbërritur në Evropë, në brigjet italiane”, u shpreh Kryeministri Rama.
Po bëjmë diçka, theksoi Rama, që besoj se ua detyrojmë fëmijëve tanë, që ata të rriten me besimin që në këtë jetë, ka një kohë të japësh e ka një kohë kur ti merr.
Ndërkohë, vijoi ai, ne nuk jemi një vend i pasur, por, shton Kryeministri, “jam besimplotë se kemi mjaftueshëm për të ndarë me këta njerëz dhe do të jemi së bashku”.
Sa i takon mbështetjes për këta njerëz, të cilëve Shqipëria u ka hapur dyert, Rama tha se për momentin po mbështetemi vetëm te bashkëpunimi me njerëzit që kanë zemër të pasur. Rama shtoi se ka një numër të konsiderueshëm të tillë nga SHBA e Britania që e kanë zemrën e pasur.
“Kemi një thënie në Shqipëri: bukë, kripë e zemër. Është thelbi i solidaritetit. Kjo nuk do t’u mungojë. Për pjesën tjetër, do ja dalim. Nuk do të zhdukemi, pse refugjatë që po i ikin vdekjes po trokasin në dyert tona. Ne mirëpritëm gjysmë milion vëllezër e motra gjatë kohës së tmerrshme të spastrimit në Kosovë. Asokohe ishim edhe më të varfër e në kushte edhe më të vështira. Dhe ja ku jemi. Madje u pasuruam më tepër moralisht, u pasuruam në shpirt dhe mësuam se në këtë jetë kujtesa është shumë e rëndësishme. E ndoshta të qënurit shumë të pasur do të thotë të humbasësh edhe një pjesë së jetës”, deklaroi Kryeministri.
Duke folur për takimin e zhvilluar me qytetarët afganë të mbërritur tashmë në vendin tonë, Rama tha se ata ishin të rraskapitur.
“Praktikisht dukeshin se kishin dalë nga një tunel ferri. Ne ishim aty për t’u thënë se mund t’a ndjejnë veten në shtëpi, thjesht bëmë atë që do të dëshironim që të tjerët të bënin për ne. Është moment përmbushës për vendin tonë. Mendoj se shumica e shqiptarëve po dëshmojnë se janë të jashtëzakonshëm, duke kujtuar se kush jemi dhe kuptuar se ua detyrojmë fëmijëve tanë këtë”, theksoi ai.
Fraksion.com