“Mbajeni kokën lart”; Basha në KKPD: Beteja të mëdha kemi bërë dhe të tjera kemi përpara
Partia Demokratike mblodhi dje Këshillin Kombëtar ku u miratuan emrat e kësaj force politike që do të përfaqësojnë atë në nivele të ndryshme.
“Beteja të mëdha kemi bërë gjatë këtyre viteve, e të tjera kemi përpara, pasi ajo që ishte e vërtetë para 25 prillit është e vërtetë edhe sot. Shqipëria ka ngecur në vend numëro, peng e qeverisë më të korruptuar në mbarë Europën, që punon kundër interesave të shumicës dërrmuese të shqiptarëve”, tha Basha në fjalën e tij.
“Masakra zgjedhore nuk u dha asnjë zgjidhje qytetarëve. Problemet e tyre nuk janë më të vogla, por më të mëdha, nevoja e tyre për një jetë të më të mirë nuk është përmbushur, por kërcënohet nga i njëjti model që shkaktoi varfërimin dhe largimin e më e të paktën 500 mijë shqiptarëve. Prandaj, përballë zgjidhjes së munguar dhe ndryshimit të mohuar përmes atyre mjeteve që ju i njihni më mirë se kushdo tjetër, ne kemi përgjegjësinë për të luftuar për njerëzit e këtij vendi, për të qenë pranë tyre për problemet e vogla e të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkërisht vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie”, tha Basha.
“Detyra e secilit prej nesh është të bëhemi zëri i qytetarëve, duke mos harruar për asnjë çast të vetëm se kush jemi dhe çfarë përfaqëson Partia Demokratike. Mos harroni se edhe kur kishim kundër nesh të gjithë shtetin, oligarkët, krimin e organizuar, ne, të gjithë bashkë arritëm t’u japim shqiptarëve shpresë. Prandaj duhet të luftojmë me gjithë forcën tonë për ta mbajtur gjallë këtë shpresë dhe të jemi krenarë për atë cfarë kemi arritur, pa përdorur asnjë mjet të paligjshëm, pa blerë vota, pa shantazhuar njerëzit, pa u ndotur me krimin dhe llumin e shoqërisë, siç ka bërë kundërshtari ynë, por vetëm me forcën e besimit tonë, duke mishëruar vlerat për të cilat kjo Parti ka lindur dhe jeton”, vijoi Basha.
“Ndaj mbajeni kokën lart. Mos lejoni që jermi antiopozitar që ka për qëllim goditjen e Partisë Demokratike si të vetmen shpresë për njerëzit e këtij vendi, të jetë më i fortë se bindja e secilit prej nesh se modeli që kemi zgjedhor, autoriteti moral që kemi fituar, nuk buron nga muskujt e krimit, nga paratë e koncesioneve apo nga shkrirja e partisë me shtetin.
Por nga besimi që ne kemi te vlerat tona, falë të cilave kemi qëndruar edhe në ditët më të errëta të këtyre tre dekadave, pa u thyer, pa u lodhur, pa e humbur vullnetin për të luftuar për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Basha.
“Në 25 prill, shqiptarët na besuan dhe na dhanë forcë. Po ashtu demokratët, që ne sot përfaqësojmë në këtë sallë, na besuan në proceset e brendshme dhe kërkuan vijimin e përballjes për të shpëtuar demokracinë dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri. Ne kemi detyrën që këtë vullnet të shqiptarëve dhe të demokratëve ta kthejmë në aksion politik.
Prandaj sot, jemi mbledhur për të përfunduar këtë fazë të parë të reformimit tonë të brendshëm në funksion të suksesit të betejës tonë kundër këtij regjimi të korruptuar, dhe për të sjellë ndryshimin që njerëzit presin me padurim dhe që ju mohua dhunshëm në 25 prill”, tha Basha.
Basha: Më më shumë gra në poste të rëndësishme
“Ekipi i ri, në nivelet e ndryshme drejtuese të Partisë, ka detyrën të çojë përpara me vendosmëri betejën për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Kemi mbi supe një sfidë që nuk është thjesht partiake, apo opozitare, por kombëtare. Ajo për clirimin e zgjedhjeve dhe thyerjes së zinxhirëve të krimit, oligarkisë dhe të shtetit të shkrirë me to, që po shtrëngon eshtrat e drobitura të një Shqipërie që kërkon shpëtim”, tha Basha.
“Kjo është një sfidë që kërkon pak fjalë dhe shumë punë, pak retorikë dhe shumë politikë të ngritur mbi idetë tona, idetë e themeluesve tanë që e ndërtuan këtë parti në antipod me cdo gjë që përfaqësonte regjimin totalitar, e që sot më shumë se kurrë duhet të shërbejnë si ylli ynë Polar.
Jam krenar që në këtë ekip do të kemi më shumë gra në detyra të rëndësishme, me profile të spikatura që e bëjnë Partinë Demokratike më gjithpërfshirëse, jo për shkak të kuotave gjinore që shpesh herë ngatërrojnë sasinë me cilësinë e përfaqësimit, por si vlerësim të profesionalizmit, integritetit dhe përkushtimit të tyre. Mirënjohje për angazhimin tuaj fisnik dhe suksese.
Të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në pozicionet e ndryshme drejtuese kanë mirënjohjen time dhe të demokratëve. Pres që harmonizimi i kontributeve të reja dhe ekzistuese të jetë në përputhje me pritshmëritë e demokratëve dhe shqiptarëve”, vijoi Basha.
“Në kushtet e kapjes gati totale të mediave, propaganda e kthen çdo gjë që është e lavdërueshme mes nesh, nga kërkesat për përsosje të mëtejshme te kritikat konstruktive, në një vorbull marramendëse, që na shtyn larg interesit publik duke na portretizuar në mënyrë të gënjeshtërt si të dobët apo në krizë.
Ne nuk duhet ta pranojmë këtë përmbysje të së vërtetës. Sepse të marrësh numrin e votave që ne morëm në 25 prill, pavarësisht krimit, oligarkëve, patronazhistëve, partisë të bërë njësh me shtetin, ndryshimeve të njëanshme kushtetuese, do të thotë se përkundër të gjithave, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar”, tha Basha.
“Ajo që na pret është një përballje e gjithanshme me regjimin. Të gjithë e dimë që masakra e 25 prillit vetëm sa e thelloi krizën politike, ndërsa kundërshtari që kemi përballë, është zhytur edhe më thellë në bashkëpunimin e tij me krimin dhe oligarkët, të cilëve tani duhet t’iu paguaj haraçin për shërbimet që ata i bënë në shkatërrimin e zgjedhjeve.”, tha Basha.
Fraksion.com