AktualitetBota+Të fundit

DW: Gjermania ka pranuar 47.400 refugjatë

Në gjysmën e parë të vitit, Gjermania pranoi 47.400 refugjatë. Kjo rezulton nga një pyetje që partia E Majta i drejtoi qeverisë gjermane. Në të njëjtën kohë, më shumë se 11.000 vetë u larguan ose u dëbuan.

Gjermania pranoi 47.400 refugjatë në gjysmën e parë të këtij viti. Nga ana tjetër, 7360 persona u dëbuan dhe 4374 u larguan vullnetarisht, sepse kërkesa e tyre për azil ishte refuzuar. Kjo rezulton në një përgjigje të qeverisë gjermane ndaj një pyetjeje të grupit parlamentar të partisë E Majta në Bundestag, të cilën e kanë parë gazetat e Grupit Mediatik Funke.

Marrëveshja e koalicionit qeveritar midis CDU, CSU dhe SPD parashikon një “korridor për imigrimin vjetor në Gjermani prej 180.000 deri në 220.000 njerëz”. Po të llogaritet kjo shifër nga përgjigja e qeverisë federale për të gjithë vitin 2021, do të priten rreth 95,000 refugjatë.

Partia E Majta dëshiron të pranojë më shumë refugjatë

Kjo është shumë më pak nga sa u tha në marrëveshjen e koalicionit, tha Ulla Jelpke, zëdhënëse e politikës së brendshme për grupin parlamentar të partisë E Majta në Bundestag. “Duke pasur parasysh numrin e shtuar të refugjatëve në të gjithë botën, ky është një lajm i turpshëm, sepse si një vend i pasur, Gjermania kështu nuk po e përmbush përgjegjësinë e saj për të mbrojtur refugjatët,” tha Jelpke.

Edhe nëse Gjermania do të pranonte 50,000 njerëz veçanërisht të rrezikzar nga Afganistani, kufiri i sipërm i vënë “arbitrarisht” nga Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer nuk do të arrihej, u shpreh partia E Majta.

 

Fraksion.com