AktualitetBota+Të fundit

“Debati për kancelar në Gjermani”: Baerbock, Scholz, Laschet grinden në “triel”

Për herë të parë në një debat televiziv në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e Bundestagut në Gjermani morën pjesë tre kandidatë; Annalena Baarbock e Të Gjelbërve, Armin Laschet i CDU dhe Olaf Scholz i SPD.   

Vetëm pesë minuta kohë kishin kaluar nga fillimi i debatit televiziv, kur të tre politikanët u përplasën për herë të parë. Annalena Barbock nga Të Gjelbrit, Armin Laschet nga CDU dhe Olaf Scholz nga SPD, secili nga treshja do të hyjë në zyrën e kancelares. Vetëm pas pesë minutash erdhi një pyetje për Afganistanin. Dhe mirësjellja e minutave të para mori fund. Laschet kundër Scholz, Scholzi kundër Laschet, Baerbock kundër Laschet e Scholz, kundër të dy partive që qeverisin aktualisht, CDU dhe SPD. Zhvillimet në Afganistan janë një “katastrofë” për perëndimin, por edhe për qeverinë gjermane, thekson Laschet. Që të tre shohin nevojën e përmirësimit të armatimit tek Bundeswehri. Laschet tematizon dronet e armatosura dhe akuzon SPD për bllokadë në këtë drejtim. Baerbock bën fjalë për shmangje të përgjegjësisë nga qeveria gjermane. Në debat kjo mbeti tema kryesore e politikës së jashtme. Vetëm në fund kur vjen fjala për partinë e Majta, nëse është e aftë për koalicion qeverisës, Baerbock dhe Scholz prekin temën e politikës së jashtme me përgjigje të paqarta.

Deutschland Bundestagswahl Kanzlerkandidaten Triell | Laschet, Baerbock und Scholz

(E akt.) Një sondazh me qytetarët menjëherë pas debatit televiziv nxjorri fitues kandidatin e SPD, Olaf Scholz, sipas dpa. Portali i Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan se sipas institutit të opinionit Forsa, i cili zhvilloi sondazhin përfaqësues me 2500 vetë, fitues është Olaf Scholz të SPD me 36%. 30% ishin të mendimit, se Annalena Baerbock e Të Gjelbërve është fituese e debatit. Vetëm 25% mendonin, se Armin Laschet i CDU e fitoi debatin.

Finalja e fushatës

Katër javë kanë mbetur deri tek e diela e zgjedhjeve parlamentare më 26 shtator. Debati televiziv i tre kandidatëve në televizionet ntv dhe RTL jep sinjalin e fillimit të fazës finale të fushatës zgjedhore. Në sondazhe, Olaf Scholz është politikani më i preferuar për të qenë kancelar, Laschet më pak i preferuari. Baerbock duket se ka më pak shanse për t’u zgjedhur në postin e kancelares.

Një moment interesant i debatit ishte kur dy moderatorët drejtuan pyetjet që duhet të merrnin përgjigje të shkurtra, vetëm me Po ose Jo. A duhet të ketë një detyrim për vaksinim në Gjermani? Baerbock nuk e përjashton këtë, kurse Laschet dhe Scholz përgjigjen menjëherë “jo”. Ajo që ra në sy: Baerbock dhe Laschet ishin më të gatshëm të sulmonin njëri-tjetrin. Laschet ironizoi kandidaten e Të Gjelbërve se vetëm përdor citate. “Ju lëshoni ca ide në ajër”, “prisni, me ngadalë njëherë”. Kurse Baerbock kundërpërgjigjet; Laschet lexon nga letra që ka përpara dhe se “nuk ka asnjë plan”.  Shpesh “trieli” kthehet në duel mes Laschet dhe Baerbock.

Deutschland | Bundestagswahl Kanzlerkandidaten Triell | Laschet, Baerbock und ScholzArmin Laschet, kandidat i CDU

Debatet për kancelar nga viti 2002

Duelet për kancelar në Gjermani kanë filluar të zhvillohen nga viti 2002. Për herë të parë u ndeshën kancelari Gerhard Schröder SPD me kandidatin e Unionit, Edmund Stoiber, CSU. Që atëherë zhvillohen një ose dy duele, që analizohen me vëmendje për ecurinë e mëtejshme të fushatës zgjedhore. Por asnjëherë nuk ka pasur debat pa një kryetar qeverie në post. Gjithmonë janë përballur një kryetar/e qeverie që synon të rizgjidhet dhe sfiduesi/ja. Po ashtu asnjëherë nuk janë përballur tre kandidatë, gjë që ka futur edhe një koncept të ri “triel-in”.

Deutschland | Bundestagswahl Kanzlerkandidaten Triell | Laschet, Baerbock und ScholzAnnalena Baerbock, kandidate e Të Gjelbërve

“Rigjenerim”

Në disa tema të politikës së brendshme, Laschet fiton më shumë pikë duke e lidhur këtë me kritikë elegante ndaj të Gjelbërve edhe SPD. Në temën e politikës së tatimeve, politikës për industrinë, debatin gjinor apo ndjesinë e sigurisë tek popullata ai sjell më shumë detaje se kundërshtarët e tij. Por ata kundërpërgjigjen me qetësi, duke ofruar të dhëna për një gjendje tjetër politike, se ajo që paraqet Laschet. Baerbock merr si shembull klimën, kurse Scholz merr rregulloret europiane për mbrojtjen e të dhënave.

Deutschland | Bundestagswahl Kanzlerkandidaten Triell | Laschet, Baerbock und ScholzOlaf Scholz, kandidat i SPD

110 minuta zgjati debati i tre kandidatëve të dielën (29.08), që asnjëherë nuk degjeneroi në grindje të shëmtuar. Secili nga të tre kandidatët kishte mundësi që tek një temë ose tjetër të fitonte pikë. “Unë besoj, se ne duhet ta rigjenerojmë vendin tonë”, tha Baerbock, një nga fjalitë e para me përmbajtje në debat. Për shumë problematika ajo vë në shënjestër qëndrimin bazik të CDU dhe SPD në koalicionin me bazë të gjerë, “le të presim njëherë”. Laschet kërkoi të fitonte pikë si kreu qeverisës i një landi, ku në kohë të Coronës këto 20 muaj duhej të merrte shpesh vendime që kërkonin baraspeshim të madh. Olaf Scholz u përpoq të paraqitej më ceremonial. Kur moderatorët e ndërprisnin ai e rifillonte të njëjtën fjalinë me një qetësi të fortë. Trieli do të vazhdojë. Më 12 dhe 19 shtator kandidatët do të përballen sërish në debate televizive në stacione të tjera./DW

 

Fraksion.com