AktualitetPolitikëTë fundit

Rama për Huffington Post: Hapja e dyerve të Shqipërisë për refugjatët afganë, e natyrshme

Kryeministri Edi Rama u shpreh në një intervistë për Huffington Post se hapja e dyerve për refugjatët afganë është gjëja më natyrale. “Të hapësh dyert kur nga ana tjetër është dikush që kërkon ndihmë është gjëja më e natyrshme”, u shpreh ai, duke shtuar se e di që kjo mund t’u duket patetike atyre që e mendojnë ndryshe, por për fat shumicës së shqiptarëve kjo u tingëllon e natyrshme.

“Jemi vendi i vetëm europian që kishte më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore sesa përpara luftës, pasi për shqiptarët nuk kishte gjë që i çnderonte më shumë sesa të ktheheshin nga ana tjetër dhe t’i linin në duart e vdekjes. Na është thënë nga historia jonë, nga kujtesa jonë dhe edhe nga kodi i parë ligjor, Kanuni i shqiptarëve: “Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut”. Kanuni përmban një kapitull të gjatë për mikpritjen”, theksoi Rama.

“Thuhet se ai që nuk i hap portën tjetrit që kërkon ndihmë është përgjithmonë i mallkuar dhe deri në vdekje do të jetojë i vetëm, sepse nuk do të pranohet në asnjë vend apo ngjarje publike, përveç funeraleve”, vijoi Rama.

“Përtej kësaj, kështu si kemi ofruar mikpritje në të kaluarën, kemi marrë shumë- jo shumë vite më parë, kur ishim ne afganët që shfaqeshim në brigjet e Italisë. Falë sidomos italianëve ai ankth i së shkuarës ka kaluar në histori, ndërsa sot shqiptarët kontribuojnë në Itali si qytetarë krejtësisht të integruar”, tha Rama.

Po si do të jetë jeta e refugjatëve afganë pas mbërritjes në Shqipëri?

“Kjo është një pjesë tjetër e tragjedisë në Kabul, pasi të dalësh nga atje është me të vërtetë si të hapësh portat e daljes nga ferri. Pas ditësh e netësh me fluturime të anuluara kanë mbërritur më në fund të parët, pak më shumë se njëqind. Janë sistemuar në bregun e Durrësit, në strukturat hoteliere të vendosura në dispozicion të tyre. Kemi vendosur t’i vendosim në strukturat hoteliere (ashtu siç bëmë me qytetarët tanë pas tërmetit) sepse dëshironim të merrnin sa më shumë normalitet të ishte e mundur dhe të mos i izolonim në kampe refugjatësh që rrezikojnë të jenë jo njerëzore dhe të shtojnë ndasitë”, theksoi Rama.

I pyetur se çfarë e nxit në këtë qasje, meqënëse nuk është hera e parë që Shjqipëria ndihmon atë që ka nevojë, duke kujtuar mjekët shqiptarë të mbërritur në Itali në periudhën më të vështirë të kovidit, Rama u shpreh se “bëhet fjalë për identitetin tonë, atë që jemi, por bëhet fjalë edhe për atë që duam të jemi”.

“Duhet të mendojnë se çfarë dëshirojmë të lëmë trashëgim për brezat e ardhshëm, në një botë ku vetë historia jonë na ka mësuar se ka një kohë për të kërkuar ndihmë dhe një kohë për ta dhënë. Si mund të harronim se çfarë ka bërë Italia për ne duke na shpëtuar në kohë të errëta e të dhimbshme, duke parë sesi  Italia digjej në dhimbje e nuk mund të merrte frymë nën presionin e tmerrshëm të virusit? Me siguri, 30 mjekët dhe infermierët tanë nuk mjaftonin aspak për të shuar gjithë vatrat që mbulonin vendin tuaj, por deshëm të ishim në krahun tuaj, të ishim pjesë e përpjekjes tuaj të pamasë për t’ia dalë dhe të tregonim solidaritetin dhe mirënjohjen tonë jo vetëm me fjalë”, tha Rama.

 

Fraksion.com