AktualitetPolitikëTë fundit

Rama i uron mirëseardhjen afganëve: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut

Kryeministri Edi Rama i uroi sot mirëseardhjen 121 afganëve që mbërritën në orët e para të mëngjesit të sotëm në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas.

Rama publikoi videon e mbërritjes së afganëve, ndërsa thekson se “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.

“Mirëmëngjes pa u gdhirë dhe me këtë episod live mikpritjeje shqiptare, që na kujton kush ishim dikur e na bën nder si vend e si popull, që krenohemi me traditën jo veç me fjalë, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve, duke i uruar së bashku me të gjithë ju mirëseadhjen, në tokën ku ligji i të parëve thotë se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, edhe 121 fëmijëve, grave e burrave nga Afganistani fatkeq, të cilët braktisën shtëpinë e tokën e tyre, për të shpëtuar jetën”, thekson Rama.

Avioni i parë me 121 qytetarë afganë, mes të cilëve 11 foshnja, mbërriti sot në aeroportin e  Rinasit. Më pas ata u nisën drejt strukturave hoteliere në Durrës. Qytetarët afganë janë pritur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, drejtues të FA dhe policisë së shtetit.

 

Fraksion.com