Përmbyllet me sukses misioni i shuarjes se zjarreve në Shqipëri; Ministri Peleshi falënderon BE- në, Holandën e Çekinë për mbështetjen
Në përfundim të operacioneve për shuarjen e zjarreve në Shqipëri, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka falënderuar Holandën për ndihmën e dhënë në këtë situatë të vështirë për vendin tonë.
Mbështetja e Mbretërisë së Holandës dhe Republikës Çeke nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE ka rezultuar thelbësore në përballimin e situatës së zjarreve të krijuar në vendin tonë gjatë muajit gusht.
Në aktivitetin e organizuar në pjesën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi falënderoi Ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, si dhe të gjithë ekipin holandez për ndihëm e dhënë dhe për mbylljen me sukses të këtyre operacioneve.
“Është momenti për të falënderuar së pari delegacionin Evropian, Ambasadorin personalisht, sepse përmes organizmave të BE kemi bërë të mundur që në një kohë shumë të shpejt të sigurojmë një mbështetje solidare nga dy shtete anëtare të BE, shtete mike si Holanda dhe Çekia, ndaj unë dua ta falënderoj edhe ambasadorin e Holandës dhe përfaqësuesit e ambasadës së Çekisë. Jemi thellësisht të prekur për solidaritetin e treguar në momentin kritik të kësaj stine shume të nxehtë e të jashtëzakonshme. U bëmë të gjithë bashkë institucionet në nivel vendor dhe qendror, por edhe vendet partnere mike për ta përballuar me sukses.”, tha Peleshi.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca i pranishëm në aktivitet falënderoi ekipet holandeze dhe çeke për ndihmën, për kontributin mjaft pozitiv që kanë dhënë për të mbrojtur mjedisin e shpëtuar jetë. Po ashtu ai falënderoi shtetin shqiptar për solidaritetin që tregoi me pritjen e 120 trupave të parë afganë që mbërritën në Shqipëri.
“Kjo është ajo që ne quajmë skuadra e Evropës dhe është ajo që bën të gjitha përpjekjet për të ndihmuar të gjithë partnerët e ngushtë. Me sa kuptuam edhe nga ministri i Mbrojtjes ndihma e dhënë nga këto ekipe ka qenë thelbësore, në këtë verë të vështirë me zjarre në pyje. BE dhe shtetet evropiane edhe njëherë kanë dëshmuar solidaritetin e tyre me Shqipërinë. Tani jemi në Aeroportin e Rinasit, ku pak orë më parë kanë zbritur 120 refugjatët e parë afganë, do të doja gjithashtu të përshëndesja Shqipërinë për solidaritetin e treguar.”, tha Soreca
I pranishëm në këtë aktivitet Ambasadori holandez në Shqipëri, Reinout Vos, falënderoi Bashkimin Evropian për vendimin e shpejtë që morën për të ndërhyrë si dhe trupat shqiptare për punën e tyre në luftën me zjarret dhe bashkëpunimin shumë të mirë.
Helikopterët holandezë dhe ai çek, që prej datës 6 gusht iu bashkuan përpjekjeve të Forcave të Armatosura dhe autoriteteve të tjera lokale për përballimin e situatës së krijuar nga zjarret.
Fraksion.com