“Mikpritje dhe mbrojtje në nevojë të madhe”; Yuri Kim: SHBA, krenare ta quajnë Shqipërinë mike dhe aleate
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, ishte e pranishme gjatë orëve të para pas mesnatës në Aeroportin e Rinasit, ku mbërriti grupi i parë me 121 afganë.
Kim thekson se “populli shqiptar edhe njëherë u ofron mikpritje dhe mbrojtje atyre në nevojë të madhe”, ndërsa shton se SHBA-të janë krenare që kanë Shqipërinë mik dhe aleat.
“Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka dhe unë mirëpritëm grupin e parë të afganëve në kërkim të një strehe të përkohshme në Shqipëri. Ashtu si ka bërë gjithmonë, populli shqiptar po ofron sërish mikpritje dhe mbrojtje për ata në nevojë të madhe. Jemi krenarë që ju quajmë mike dhe aleate. Faleminderit”, u shpreh ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim.
Avioni i parë me 121 qytetarë afganë, mes të cilëve 11 foshnja, mbërriti sot në aeroportin e Rinasit. Më pas ata u nisën drejt strukturave hoteliere në Durrës. Qytetarët afganë janë pritur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, drejtues të FA dhe policisë së shtetit.
Fraksion.com