AktualitetTë fundit

Mbërrin në Rinas avioni me rreth 150 afganë! Fluturimi i rradhës me rreth 60 të tjerë pritet pas mesnate! Do strehohen në Qytet Studenti

Ka mbërritur në Rinas një tjetër avion me 150 afganë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se do të jetë edhe një fluturim tjetër. Kurse fluturimi i dytë do të jetë rreth orës 1 të mëngjesit, me rreth 60 afganë. Afganët do të strehohen paraprakisht në ambientet e konvikteve te Qytetit Studenti.

Lajmin e ardhjes së tyre e ka konfirmuar edhe ambasada e SHBA në Tiranë dhe ministria e Jashtme e cila bën me dije se afganët do të priten nga ministrja Olta Xhaçka. “Gjatë mbrëmjes së sotme priten të mbërrijnë në Tiranë dy fluturime të tjera me qytetarë afganë. Avioni i parë nga Kabuli pritet të mbërrijë pak para mesnatës e pas tij edhe avioni i dytë. Pasagjerët do të priten në pistë nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Me uljen në pistën e Rinasit do ju bëhen me dije detaje të tjera“, thotë ministria.

Grupi i parë me 121 afganë mbërriti mëngjesin e sotëm kur ora shënoi 03:20. Mes tyre 11 ishin foshnja që prekën tokën shqiptare për një jetë më të sigurt dhe larg luftës në vendin e tyre. Pas nisjes nga Kabuli, avioni me afganët që u strehuan në Shqipëri, bënë një ndalesë në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, dhe më pas drejt Rinasit. Me çanta mbi shpina, e fëmijët në duar, fillimisht afganët iu nënshtruan përpunimit të të dhënave individuale, regjistrimit dhe më pas ekzaminimeve mjekësore në çadrat e ngritura në Rinas posaçërisht për ta. Më pas me autobusë të dedikuar u drejtuan në 2 hoteleri në Durrës, ku do të qëndrojnë përkohësisht. Në një prej hoteleve, më konkretisht ‘Belvedere’ janë strehuar 60 afganë, të cilët sipas burimeve janë nëpunës që kanë punuar për fondacionin e George Soros.

Afganët e parë u pritën në aeroport nga ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, që është njëkohësisht edhe drejtuesja e task-forcës që do të merret me menaxhimin dhe koordinimin për akomodimit të afganëve.  Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre, pasi u kërcënohen nga talebanët. Pritja do të jetë për 4000 afganë që është parashikuar që afganët të qëndrojnë në vendin tonë për të paktën 1 vit, por nëse dikush prej tyre do të qëndrojnë përgjithmonë, është i lirë për ta bërë.

 

Fraksion.com