“Kokaina në Mal të Zi”; Kurthi i policisë: Lejuan kontejnerin të kalonte në Tivar për të kapur trafikantët, mbi pakot me drogë shkruhej ‘covid’
Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me kokainën e sekuestruar në Malin e Zi. Oficerët e pikave doganore të Tivarit dhe të Podgoricës, në bashkëpunim me policinë lejuan kamionin me targa PG-353GA të kalonte, pa ushtruar kontrolle të detajuara, për të parë se ku do të shkonte droga. ‘Vijesti’ shkruan se pas hekurave ranë Marijana K. dhe Buda K., ndërkohë që të dyshuarit e tjerë janë në kërkim.
Sipas informacionit nga Vijesti, inspektorët e Sektorit për Luftën kundër Krimit në bashkëpunim me kolegët e tyre të Administratës Doganore u informuan nga burime ndërkombëtare se një kontejner me banane, brenda të cilët fshihej një ngarkesë e madhe me kokainë do të hynte në portin e Tivarit.
Policia bëri me dije se në kontejner me banane ishin fshehur 1,205 pako kokaine, me një peshë totale mbi një ton, ku sipër tyre ishin vendosur mbishkrime të ndryshme, mes të cilave ishte edhe ‘COVID’. Aktualisht policia është duke vijuar hetimet për arrestimin e të tjerë personave të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar droge.
Fraksion.com